OpEd

Asgjë e re nga Washingtoni

Shumëkush ka pritur që me ardhjen e presidentit Biden politika amerikane në rajon do të ndryshojë ndjeshëm. Siç koha e provoi, ajo ngeli e njëjtë. Ajo ngeli e njëjtë, sepse interesat amerikane ngelen të njëjta. Këtë mësim duhet ta mbajmë mend edhe sot kur presim ravijëzimin e qasjes së administratës së Trumpit për rajonin

Imagjino të kishe rënë në komë ditën kur Trumpi në fushatë zgjedhore premtoi se do të ndalonte luftën në Ukrainë brenda njëzet e katër orëve dhe të ishe zgjuar nga koma këto ditë, kur Trumpi praktikisht kërcënoi Rusinë me konflikt bërthamor. Ky episod ishte përkujtim i fundit i asaj se “fushata është poezi, qeverisja është prozë”, por edhe shembull i bukur i konsistencës së politikës së jashtme amerikane. 

Ndonëse presidenti Biden dhe presidenti Trump kishin përdorur gjuhë dhe diskurs radikalisht të ndryshëm në fushata zgjedhore sa i përket politikës së jashtme amerikane, në praktikë dy presidencat amerikane po shfaqin shumë më shumë ngjashmëri se dallime. Këtë mund të shohim në kuadër të akseve kyç të politikës së jashtme amerikane.

Sa i përket Rusisë, me gjithë akuzat për diskurs prorus gjatë fushatës zgjedhore, në qeverisje Trumpi ka vazhduar sanksionet e Bidenit ndaj Rusisë dhe në fakt ka kërcënuar me shtrëngimin e tyre edhe të mëtutjeshëm në rast të mosbashkëpunimit të Rusisë për përfundimin e luftës në Ukrainë. Sikur Bideni edhe Trumpi e sheh Rusinë si “konkurrent strategjik” të SHBA-së dhe kërcënim për interesat amerikane, dhe sikur Bideni edhe Trumpi po mundohet që të gjejë një shteg diplomacie me Rusinë për të evituar konfliktin e drejtpërdrejtë ndërmjet dy fuqive bërthamore.

Sa i përket Ukrainës, me gjithë zhurmën ditore, Trumpi ka vazhduar politikat e Bidenit duke siguruar furnizimin e Ukrainës me inteligjencë dhe armë për t’i rezistuar suksesshëm pushtimit rus. Kur mediat raportuan muajin e kaluar diskutimet në Pentagon për pezullimin e ndihmës amerikane për Ukrainën, Trumpi reagoi menjëherë për të parandaluar një gjë të tillë. Që nga marrja e detyrës së Trumpit, Ukraina ka ndërmarrë disa nga sulmet më të thella në territor të Rusisë, përfshirë operacionin “Rrjeta e merimangës”. Po ashtu Trumpi ka solidifikuar edhe më fort aleancën ndërmjet SHBA-së dhe Ukrainës duke lidhur marrëveshje afatgjate ekonomike, të cilat çimentojnë bashkëpunimin e tyre përtej zmbrapsjes së pushtimit momental rus.

Ndërsa sa i përket Kinës, si sfidë kryesore të politikës së jashtme amerikane, dallimi ndërmjet Bidenit dhe Trumpit është inegzistent. Të dy presidencat kanë parë Kinën si “konkurrente strategjike” dhe si pasojë politikat e dy administratave kanë qenë konsistente. Bideni ka vazhduar tarifat e Trump 1, ndërsa Trump 2 ka vazhduar tarifat e Bidenit. Këto tarifa në veçanti kanë synuar të degradojnë aftësinë e Kinës për të konkurruar në sektorët, siç janë inteligjenca artificiale, teknologjitë e avancuara dhe veturat elektrike. Po ashtu të dy presidencat kanë njohur nevojën e rritjes së investimeve infrastrukturore për të siguruar konkurrueshmeri afatgjate me Kinën. Bideni ka bërë këtë pemës dy pakove masive investuese, ndërsa Trumpi është duke bërë këtë me vazhdimin e politikave të Bidenit dhe negocimit të marrëveshjeve të reja tregtare, të cilat do të tërheqin investimet e reja drejt Amerikës.

Këtë ngjashmëri dhe konsistencë të politikes së jashtme amerikane e shohim edhe në Lindjen e Mesme. Bideni vazhdoi zbatimin e marrëveshjeve abrahamike që kishte arritur Trumpi, duke thelluar shkëmbimet ndërmjet palëve (siç ishte Marrëveshja e tregtisë ndërmjet Izraelit dhe Emirateve Bashkuara), si dhe duke bërë progres të ndjeshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite. Të dy presidencat kanë parë Iranin si kërcënim kyç për stabilitetin e rajonit, duke përdorur kështu sanksionet si mjet presioni për të shtyrë Iranin në tavolinën negociatore.

Trumpi ka vazhduar presionin ndaj Iranit duke eskaluar atë edhe në ndërhyrje ushtarake. Edhe sa i përket konfliktit Izrael-Palestinë, të dy administratat kanë ofruar mbështetje pa rezervë për Izraelin, ndonëse presidenca Biden ka qenë më e zëshme në avokimin për të drejtat e palestinezëve. 

Dhe këtë konsistencë të politikës së jashtme amerikane e kemi parë edhe këtu në rajonin tonë.

Shumëkush ka pritur që me ardhjen e presidentit Biden politika amerikane në rajon do të ndryshojë ndjeshëm. Siç koha e provoi, ajo ngeli e njëjtë. Ajo ngeli e njëjtë sepse interesat amerikane ngelen të njëjta: (1) sigurimi i stabilitetit, (2) afrimi me strukturat euroatlantike dhe (3) zvogëlimi i ndikimit ruso-kinez. Kësisoj edhe sot, kur presim të shohim ravijëzimin e qasjes së administratës së Trumpit për rajonin, duhet të mbajmë mend që ndonëse do të këtë shumë zhurmë, si dhe iniciativa dhe takime të reja, piktura e madhe nuk do të ndryshojë. Ajo nuk do të ndryshojë pasi që, siç mësuam nga koha: pozicioni amerikan do të ndikohet nga interesat afatgjate amerikane dhe jo nga preferencat e akterëve individualë.