Pas diskutimit me sindikatat javën e shkuar, të enjten, AAK-ja ka organizuar tryezë me pjesëtarë nga shoqëria civile dhe media. Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Kurti se ka sjellë vendin në një pozitë të palakmueshme, saqë edhe mbështetësit e Pavarësisë i kanë vënë sanksione
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se duke u ikur përgjegjësive që ka, i ka sjellë sanksione shtetit nga mbështetësit e Pavarësisë.
Pas takimit të mbyllur me përfaqësues të shoqërisë civile e të mediave, të enjten, Haradinaj tha se të gjithë janë të shqetësuar për vështirësitë që po kalon vendi.
Sipas tij, takimi ishte i dobishëm për sensibilizim të brendshëm.
“Ne si Aleancë e çmojmë rolin e shoqërisë civile, të mediave, për sensibilizimin shoqëror, për sfidat, për vështirësitë që po kalon Kosova, Ishte një konkluzë e shumë prej neve, një konkluzë e këtij takimi që nuk duhet të heshtim para një situate që kemi në vend”, ka thënë ish-kryeministri Haradinaj. “Ka një situatë kur Kosova është e sanksionuar pikërisht nga mbështetësit kryesorë të lirisë, të pavarësisë dhe demokracisë sonë”.
Haradinaj theksoi se dëshira e përbashkët në takim ishte rikthimi i vendit në normalitet.
“Ajo që ka ndodhur së fundmi shohim një ikje nga përgjegjësia e Qeverisë sonë, edhe e kryetarit të Qeverisë, ikje nga përgjegjësia, ikje nga marrëveshja që është një lloj thike pas shpine. Ju siguroj, në këto procese edhe është një rikthim me metodat që i kemi parë bashkë, që na sjellin deri te sanksionet”, ka theksuar ai.
Kryetari i AAK-së ndërlidhi luftën e Rusisë ndaj Ukrainës me situatën në vend. Ai tha se lufta ka ndërruar botën dhe mënyrën e të menduarit e të vepruarit të vendimmarrësve.
“Detyra e jonë në Kosovë menjëherë ka qenë me e kuptu se si mund të gjendemi ne pas një situate të re, pra të një lufte që ka përmasa globale, të një rreziku të sigurisë që po ndodh në Evropë, edhe të një vështirësie të madhe që po shkakton kjo luftë në aspektin e sigurisë dhe në aspektet e tjera”, ka dekaruar Haradinaj.
Javën e kaluar kjo parti mbajti tryezë diskutimi me përfaqësues të sindikatave kryesisht të sektorit publik. Për ditët në vijim ka paralajmëruar tryeza të tjera.
Iniciativë të ngjashme ka ndërmarrë edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri tash ka zhvilluar një numër takimesh.