Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandant i UÇK-së për Zonën Operative të Pashtrikut, ka vazhduar dëshminë në Gjykatën Speciale në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ai tha para gjykatës se nuk dinte për pozitën Rexhep Selimit kur u takuan në Nishor.
Për herë të katërt, të hënën në Gjykatën Speciale është paraqitur Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut.
Lidhur me këtë, pyetje parashtroi gjyqtari Christoph Barthe.
Dëshmitari Halitjaha u shpreh se kur Rexhep Selimi vizitoi Nishorin, bazën e Pashtrikut, ai nuk dinte asgjë për të.
“Ju thatë se z. Selimi ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe kishte po ashtu 2-3 persona që punonin me të dhe ky, mendim juaji është”, pyeti Barthe.
E Halitjaha u përgjigj se përveç që nuk e njihte, nuk e ka ditur në atë kohë as pozitën e Selimit e as emrat e ushtarëve që ishin me të.
“Z. Selimi, unë thashë se e kam takuar në zonën time dhe e kam parë me dy ushtarë. A kanë qenë staf apo vetëm ushtarë nuk e di, nuk e di sa ka qenë përbërja e inspektorit, a ka pasur staf më të gjerë a nuk ka pasur. Ka qenë inspektor i përgjithshëm, sa për gjeneral, gradat pas lufte janë dhënë apo janë marrë. Nuk e di qysh ka shkuar situata. Gjatë lufte nuk kemi pasur grada, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Halitjaha.
Selimin, ka thënë se nuk e ka parë as në Kleçkë, ku ishte baza e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, mes fundit të vitit 1998 e fillimvitit 1999.
“Do ta kisha njohur në bazë të vëllait të tij, se Ramadan Selimin e kam pasur shok të organizatës ilegale, organizatës atdhetare, e Rexhën e kam njohur në luftë kur ka ardhur në Nishor në Zonën Operative të Pashtrikut. Vetëm e kam njohur si Rexhep Selimi as që e kam ditur që është inspektor e pastaj e kam mësuar që është inspektor i përgjithshëm”, tha Halitjaha.
Po ashtu, nga gjyqtari Christoph Barthe ai u pyet për deklarimin e tij paraprak se kushëriri i tij, Jakup Muharremaj i pati thënë se ishte keqtrajtuar prej dy pjesëtarëve të UCK-së. Halitjaha në deklarimet e tij ka thënë se nga kushëriri i tij ka dëgjuar se e kanë rrahur Skënder Hoxha e Sabaudin Cena. Kjo sipas tij, ndodhi pasi që dikush e fajësoi Muharremajn si spiun të Serbisë për t’i qëruar hesapet personale. Megjithatë ai ka thënë se nuk mund ta kujtojë se kë e pati përmendur konkretisht Muharremaj, si person që e ka fajësuar.
“Të të them të drejtën ma ka thënë, por e kam harruar emrin. Duhet të jetë dikush nga Pirana, nga fshati Piranë, që kanë pasur konflikt para lufte këta dhe ai ka pasur ndikim te dikush i afërt të stafit të Hoxhës, kështu që kjo është bërë shkaqe private, krejtësisht për konflikt privat që ka pasur Jakup Muharremaj me dikë tjetër. Kështu ka qenë”, ka thënë ai.
Halitjaha, dëshmitari i 36-të i propozuar nga Prokuroria, pritet ta vazhdojë dëshminë e tij të martën në mëngjes.
Në bazë të versionit të aktakuzës së ZPS-së e publikuar më shkurt 2023, të pandehurit akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me krimet që janë kryer dhe të cilat, kanë pasur qëllim marrjen e pushtetit në Kosovë.
Të akuzuarit siç pretendohet në aktakuzë, janë përgjegjës personalisht në frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të ndaluar nëpër qendra ndalimi.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi kanë thënë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe komandat lokale, e edhe më pak për veprimet e tyre.