Policia ka arrestuar një grua me inicialet N.R., pasi që dyshohet që ajo ka raportuar rrejshëm se është grabitur dhe është dhunuar seksualisht teksa po ecte bashkë me të birin e saj pranë varrezave në Gjilan. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje prej 48 orësh
Pak ditë pasi që raportoi se është grabitur dhe është dhunuar seksualisht teksa po ecte bashkë me të birin e saj në një rrugë në Gjilan, gruaja me inicialet N.R. është arrestuar të enjten nën dyshimin se e ka inskenuar të gjithë ngjarjen.
Ajo është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërsa është e dyshuar për veprën panele “lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
“Bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimi i shumë materialeve me videoincizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në
polici. Me urdhër të prokurorit e dyshuara gjendet në ndalim 48-orësh”, është bërë e ditur në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Rasti është evidentuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë, i cili është publikuar të dielën e shkuar.
Të dielën e 25 majit KOHA pati kontaktuar me drejtorin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, i cili pati thënë se e dyshuara N.R. është pranuar në këtë spital e shqetësuar, me gërvishtje nëpër trup dhe me gjakdrrjedhje të pakët vagjinale. Ai ka bërë të ditur se rasti i saj është proceduar për në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
E, të enjten, Emini ka thënë se raporti i përpiluar nga mjekët e Spitalit të Gjilanit është profesional, porse nuk e ka përjashtuar mundësinë që plagët dhe shenjat e evidentuara në raport të jenë inskenuar nga e dyshuara.
Gruaja, e cila tashmë është arrestuar, pati raportuar në Polici se derisa ka qenë duke ecur tek varrezat e qytetit të Gjilanit, së bashku me të birin e saj, ajo ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku më pas e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë edhe stolitë e arit.