Nga 20 marsi kur është paraqitur ky grip, Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë ka njoftuar se kanë ngordhur mbi 300 mijë pula. Nga Shqipëria vetëm vitin e kaluar Kosova ka importuar rreth 79 mijë zogj pule dhe mbi 120 mijë kilogramë mish e vezë të pulës
Kosova e ka ndaluar importin e shpezëve nga Shqipëria që nga e hëna, pas identifikimit të Durrës të një sërë rastesh të pulave të prekura me gripin e shpezëve, H5N8.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë, nga e diela deri të martën nga sëmundja e laringo-trakeit dhe gripit të shpezëve kanë ngordhur 300 mijë pula. Sipas autoriteteve shqiptare, kjo sëmundje ka nisur të shfaqet edhe në Lushnjë, ku 60 pula kanë ngordhur në një fermë në fshatin Grabian. Nga të dhënat zyrtare të INSTAT-it, që u referohen fermave të pulave për prodhim të vezëve, në Shqipëri janë afro pesë milionë pula. Vetëm në rajonin e Durrësit, ku dhe janë të përqendruar pularitë e prekura nga kjo sëmundje, janë rreth një milion pula. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, ngordhja e pulave deri më tani përbën gjashtë për qind të totalit në të gjithë vendin dhe 30 për qind në qarkun e Durrësit, i cili është edhe furnizuesi kryesor.
Vendimi për ndalim të importit, i marrë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, sipas zëdhënësit Lamir Thaçi, është bërë për ta parandaluar përhapjen e tij në vend.
“Ndalesë ka për të gjitha shpezët dhe produktet e shpezëve nga zona e cila është e prekur nga sëmundja, sepse kështu është e përcaktuar me ligj dhe udhëzim administrativ”, ka thënë Thaçi.
Sipas shifrave të Doganës, gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti, vetëm nga Shqipëria, Kosova ka importuar mbi 14 mijë kilogramë mish dhe vezë të pulës. E gjatë vitit të kaluar, nga Shqipëria në Kosovë kanë hyrë mbi 120 mijë kilogramë mish dhe vezë të pulës. Ndërsa brenda vitit të kaluar, sipas të dhënave të Doganës, janë importuar 79 mijë zogj pule.
Edhe
Kosova merr masa për t’u mbrojtur nga gripi i shpezëve
Për t’u siguruar se nuk hyjnë produkte të shpezëve nga zonat me rrezik të Shqipërisë, Thaçi pohon se e kanë rritur kontrollin veterinar në kufi. “Të gjitha ngarkesat që hyjnë në Republikën e Kosovës kontrollohen nga ana e inspektorëve veterinarë të Agjencisë, këto që janë me origjinë shtazore. Ne e kemi ngritur nivelin e kontrollit në rastin e shpërthimit të sëmundjes në shtetin fqinj dhe jemi duke monitoruar në vazhdimësi secilin lajmërim që mund të vijë eventualisht nga ndonjë zonë tjetër brenda Shqipërisë apo nga ndonjë shtet tjetër fqinj, nga i cili ne importojmë”, ka deklaruar ai.
Raste të gripit të shpezëve edhe në Kosovë janë lajmëruar vjet dhe sivjet. Nga AUV-i thonë se ka disa muaj që janë ndërmarrë masat e biosigurisë, që ndër të tjera nënkuptojnë karantinim të fermave të shpezëve dhe asgjësim të atyre që rezultojnë pozitive. Nga kjo Agjenci kanë thënë se Kosova ka kapacitete për ta penguar përhapjen e gripit të shpezëve.