LAJMET E MBRËMJES

GLPS: Konsultimet buxhetore për shëndetësinë, në nivelin më të ulët të mundshëm

Kosova renditet e fundit në rajon për transparencën buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me vetëm 9 pikë nga 100 të mundshme. Kështu tregon raporti “Fondet publike, shëndeti publik” i publikuar nga GLPS, ku theksohet mungesa e përfshirjes së publikut dhe shoqërisë civile në planifikimin e buxhetit nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja.

Kosova qëndron keq e renditur në krahasim me vendet e tjera në sektorin e konsultimeve buxhetore me publikun.

Bazuar në një pilot-projekt të zbatuar nga Instituti GAP në vitin 2023, sa i përket asaj se ku gjendet Kosova në anketën e transparencës buxhetore, del se vendi ynë ka marrë vetëm 9 pikë nga 100 të mundshmet.

Sipas gjetjeve të këtij raporti, SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë nuk sigurojnë përfshirje të mjaftueshme të publikut dhe organizatave të shoqërisë civile në proceset buxhetore.

Autori i analizës, Agron Demi, kritikoi institucionet për raportime të pjesshme dhe të cunguara.

“Ky problem e ndjek edhe SHSKUK-në, ku raportet zakonisht publikohen vetëm në formate PDF ose Word, pa pasur ndonjë sistem të hapur e të aksesueshëm. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka raportime të publikuara edhe në baza mujore, por edhe pse janë të rregullta, ato nuk përmbajnë informacionin bazik që kërkohet për një transparencë të mirëfilltë”, tha Demi.

Ndërkohë hulumtuesja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, theksoi se në disa raste edhe të dhënat e publikuara nuk janë të besueshme.

Rama solli shembullin e një raporti ku ishte shënuar se 70% të punimeve infrastrukturore në spital ishin kryer, ndërsa në realitet, sipas saj, gjendja në terren ishte ndryshe.

“Vitin e kaluar SHSKUK-ja e ka hartuar një raport për vitin 2023 dhe kur e sheh raportin, e lexon sikur janë punët e përfunduara që i kanë bërë zyrtarët, e ndonëse e vërteta ka qenë që as nuk kanë filluar punët. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, sepse edhe ka pasur rivotim të bordit pas kësaj që është bërë mediatike. Domethënë e sheh raportin, e sheh që ka përfunduar objekti i psikiatrisë dhe shkon e sheh që ata as nuk i kanë filluar – e këta e kanë në raport përfundimtar që kanë përfunduar”, tha Ramaj.

Drejtori financiar i SHSKUK-së, Enver Gashi, nuk u pajtua me këto kritika, duke i cilësuar si konfuzione.

Gashi tha se edhe vetë brenda bordit ka pasur dyshime për disa projekte, të cilat në fund nuk janë miratuar.

“Ka pasë plan që me u bë ato korridore, mirëpo ajo ka qenë në 0, sepse ka pasë prioritete më të rëndësishme. Ka pasë dyshime edhe te përllogaritja, e pikërisht për ato raportet e fundit nuk janë përkrahë nga bordet”, tha Gashi.

Sipas të dhënave të GLPS-së, edhe mbikëqyrja parlamentare mbi institucionet e shëndetësisë në Kosovë rezulton të jetë e dobët.

Në raportin e GLPS-së thuhet se gjatë viteve sektori i shëndetësisë në Kosovë është përballur me raste të shumta të keqpërdorimit të buxhetit.