Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka raportuar të premten para deputetëve të Komisionit Parlamentar. Aty është përballur me kritika nga deputetët opozitarë por edhe të pushtetit për punën e bërë. Derisa në komision ka mohuar pretendimet se diplomatët janë caktuar e avancuar me prapavijë politike, Gërvalla pas raportimit ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi
Njohja reciproke është zgjidhja e vetme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë të premten ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Para raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, Gërvalla ka thënë se nuk mund të shpalosë detaje rreth propozimit evropian për dialogun, pasi për këtë ka dakordim paraprak.
“Ju e dini se me planin franko-gjerman, me kërkesë të partnerëve na është lutur që të trajtojmë në mënyrë konfidenciale, unë nuk do të thyej atë konfidencialitet, pasi u takon autorëve të prezantojnë planin e tyre ose të merremi vesh që ne të flasim për atë”, ka thënë ajo.
Në Komision, Gërvalla është kritikuar nga deputetët opozitarë rreth shkarkimeve e avancimeve të diplomatëve në baza partiake.
“Gjitha këto vlerësoj se përbëjnë shkelje ligjore dhe nëse ke ardhë të bësh ndryshim pse po lejoni që të ndodhin këto shkelje ligjore në vazhdimësi”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
“Ka qenë shqetësuese se plot diplomatë na kanë adresuar në komision për shkarkime ad-hoc që janë bërë. Kjo nuk është e drejtë dhe etike shkarkimi me një e-mail, pasi ka procedura dhe një diplomat që i ka shërbyer Kosovës ka procedura dhe duhet të lihet hapësirë kohore”, ka deklaruar Time Kadrijaj nga AAK-ja.
Gërvalla i mohoi të gjitha akuzat.
“Sa i përket faktit që favorizohen nga ana ime diplomatë që politikisht anojnë kah ne, atëherë me përgjegjësi them se po të kishte qenë ky kriteri, atëherë nuk do të kisha avancuar asnjë diplomat…asnjëherë në MPJD nuk është kërkuar as lojalitet politik dhe as lojalitet partiak nga asnjë zyrtar dhe asnjë diplomat”, ka thënë Gërvalla.
Ajo në Komision u kritikua edhe nga deputeti i partisë në pushteti, Haki Abazi. Por, ai nuk ka marrë përgjigje në pyetjen e bërë.
“Kemi ngecje në njohjet e reja, por edhe në anëtarësimin dhe diskutimin në mekanizmat ndërkombëtarë siç janë UNESO, Interpoli dhe të tjera. A keni paraparë mekanizëm të analizuar efekti dhe buxhetor, apo angazhim direkt vetëm për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë?”, ka pyetur Abazi.
“Sa i përket strategjisë së njohjes unë iu propozova që takohemi edhe një herë gjatë këtij viti dhe të diskutojmë, madje një pjesë edhe jopublike, pasi çështja e njohjeve të reja është temë shumë e ndjeshme”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla ka thënë gjatë raportimit se me vendosjen e ligjshmërisë është bërë përparim në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës.