Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka marrë obligime shtesë për kontroll e verifikim të pasurisë së zyrtarëve publikë, porse nuk është mbështetur me rritje të numrit të të punësuarve apo rritje të dukshme të buxhetit të saj, ka konstatuar një raport i Lëvizjes FOL. Për këtë përgjegjës në këtë organizatë joqeveritare e kanë bërë Qeverinë.
Që nga 14 janari i këtij viti 15.000 zyrtarë, kryesisht mjekë e profesorë universitarë, i janë shtuar listës së personave të cilëve Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e ka për përgjegjësi t’ua kontrollojë pasurinë.
Në raportin “Kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore” e publikuar nga Lëvizja FOL, u konstatua se ish-Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka pasur rritje kapacitetesh me burime njerëzore.
Hulumtuesja Albana Hasani ka thënë se Agjencia nuk ka pasur as ndonjë rritje të madhe për nga mjetet financiare në Ligjin për buxhet që kur ka marrë obligimet shtesë me ligjet e raja.
“Krahas rreth 5000 zyrtarëve publikë që kanë qenë të obliguar për ta deklaruar pasurinë, me dispozitat e ligjit të ri për deklarimin e pasurisë është rritur në rreth 20.000 zyrtarë që obligohen ta deklarojnë pasurinë....Pavarësisht shumëfishimit të punëve dhe përgjegjësive të këtij institucioni të bëra nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, organi ligjvënës ka paraparë rritje minimale të buxhetit të këtij institucioni për vitin 2023...Buxheti i agjencisë ka pësuar rritje prej vetëm 12.066 euro”, tha Hasani.
Hasani ka thënë se rritja e kapaciteteve duhet të jetë synim i Qeverisë. Por kjo e fundit, sipas saj, nuk e ka miratuar ende as Strategjinë për Parandalimin e Korrupsionit.
“Strategjia dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Korrupsionit, hartimi i së cilës deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri ishte në kompetencë të agjencisë, e tani ka kaluar në kompetencë të Qeverisë (dhe pra agjencia e bën vetëm monitorimin e zbatimit të saj), nuk është hartuar ende. Pra, Institucionet e Republikës së Kosovës edhe pas një periudhe të gjatë kohore, po vazhdojnë të kenë mungesë të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit”, tha Hasani.
FOL i ka rekomanduar, po ashtu, Qeverisë ta miratojë sa më parë Strategjinë Kundër Korrupsionit, ndërsa Ministrisë së Drejtësisë ta miratojë Udhëzuesin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, shtimin e trajtimeve profesionale për stafin, si dhe rritje të bashkëpunimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit me Inteligjencën Financiare dhe Prokurorin e Shtetit.