Një zjarrfikës që është përpjekur të ndihmojë në shuarjen e zjarrit që të shtunën në mëngjes kaploi qendrën tregtare “ETC” në Klinë, ka kërkuar ndihmën mjekësore. Sipas autoriteteve komunale, në bazë të hetimeve preliminare zjarri ishte aksidental. Pronari i ETC-së, Ramiz Kelmendi ka thënë se dëmet në këtë qendër janë nga afro 1.3 milion. Kelmendit, ish-deputet e ish-zv.kryeministër i është djegur edhe depoja kryesore në Pejë, në marsin e këtij viti
Një qendër tregtare e rrjetit të ETC-së në Klinë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së shtunës. Nuk ka pasur viktima, por një zjarrfikës që mori pjesë në shuarjen e zjarrit kërkoi ndihmë mjekësore shkaku i pasojave nga tymi. Zjarrfikësit thanë se operacioni i shuarjes së zjarrit ishte i vështirë, pasi që në afërsi të tij ndodhet edhe një pompë karburantesh.
Izet Haxhaj, zëvendësshef i shërbimit të zjarrfikësve në Klinë, ka thënë se kanë kërkuar ndihmë edhe nga zjarrfikësit në komunat e tjera për të shuar flakët.
“Ka qenë e vështirë shuarja e zjarrit, për shkak se ka qenë rreziku i madh edhe për shkak të pompës së derivateve, në atë pjesën përmbrapa ka qenë edhe një fabrikë “Mirusha” që e quajmë na, kështu që ka qenë terren dhe për të futur në kontroll për shkak të rrezikut të madh edhe të pompës që ka qenë afër. Ne jemi munduar me të gjitha pajisjet që kemi pasur, por zjarri pak ka qenë i përmasave të mëdha, kur kemi ardhur këtu dhe kështu që, ka qenë rrezik me e fut nën kontrolle”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se informacioni është marrë diku rreth orës 6:30.
“Posa ka mbërri ekipi në vendngjarje, menjëherë na ka njoftuar për rastin dhe menjëherë të gjithë zjarrfikësit e Klinës, këtu më afër që kanë qenë, jemi mobilizuar më të gjitha automjetet që i kemi pasur në dispozicion. Pastaj, duke e parë që zjarri ishte bukur me përmasa të mëdha, i kemi njoftuar menjëherë dhe shërbimet e tjera të zjarrfikëseve Peja, Istogu dhe Gjakova, të cilët i falënderoj, të cilët na kanë dalë në ndihmë me të gjitha, pajisjet e tyre që kanë pasur”, u shpreh ai.
Edhe
Digjet një supermarket në Klinë, shumë afër pompës së benzinës
Rreshteri nga stacioni policor i Klinës, njësia e hetimeve, Xhevdet Kryeziu deklaroi se rasti në objektin e ETC-së, i cili u dogj sot, u cilësua si zjarr aksidental.
“Nga ky zjarr nuk ka të lënduar..., edhe dëmet janë të konsiderueshme. Për momentin janë në fazën fillestare të hetimeve, nuk kemi informacion për ndonjë dyshim. Rasti është cilësuar si zjarr aksidental", ka thënë ai
Ai ka thënë se njësitet relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe se në shuarjen e zjarrit ka ndihmuar edhe HidroDrini me një kamion.
E sipas pronarit të rrjetit të marketeve “ETC”, Ramiz Kelmendi, dëmet nga djegia e kësaj qendre janë nga 1 deri në 1.3 milion euro.
“Kur hup malli thonë se humb ngapak edhe besimi, por tash po shpresojë që organet e hetuesisë me ndihmën e incizimeve dhe gjërave të tjera por që ekziston ose një formë tjetër, por edhe nëse ekziston diçka e qëllimshme le të gjendet akteri dhe të dënohet”, ka thënë Kelmendi për KOHËN.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se zjarri ka mundur të përshkallëzohej, por falë zjarrfikësve u parandalua një katastrofë.
“Bashkëndjejmë edhe me pronarin e kompanisë. Por, fatmirësisht që nuk ka humbje të jetës, është një lehtësi për momentin. Ka pasur edhe risk të madh, sepse ka qenë në afërsi edhe objektit të pompës, ka pas edhe lëndë djegëse edhe ndoshta mundësi për eskalim”.
Edhe
Një qendër tregtare në Suharekë përfshihet nga zjarri, dëmi rreth 3 mln €
Elezaj ka thënë se komuna është e pafuqishme për t’i ndihmuar kompanisë pas dëmeve që i janë shkaktuar si pasojë e zjarrit.
Edhe në fund të marsit të këtij viti, depoja e ELKOS-it në Pejë, pronë e Ramiz Kelmendit ishte djegur, duke shkaktuar dëme milionëshe. Kelmendi ka qenë deputetë i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zv.kryeministër në Qeverinë Mustafa.