Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Fjalim historik: Kosova merr fjalën për herë të parë në Këshill të Evropës

E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ka thënë të martën deputetja Saranda Bogujevci. Në fjalimin e parë historik, ku Kosova përveç pjesëmarrjes ka pasur edhe të drejtën për fjalë, ajo ka thënë se Kosova është demokracia më e gjallë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë diskutimeve për perspektivën evropiane në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka marrë përkrahje edhe nga Ukraina.

Një delegacion i Kosovës për herë të parë i është drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Fjalës së deputetes Saranda Bogujevci i ka paraprirë një duartrokitje mirëseardhëse.

Bogujevci në seancën plenare të Asamblesë ka rikonfirmuar se Kosova e vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk kanë të ardhme tjetër, përveç asaj në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi duke u përballur me shqetësime shumë më të gjera se sa rajoni jonë. Sot jemi duke u përballur me luftën brutale, sot jemi duke u luftuar për demokraci e kështu me radhë. Sot nuk jemi duke folur vetëm për Ballkanin Perëndimor, por sot jemi duke folur për të ardhmen e Evropës. Ne si Kosovë dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor jemi Evropë dhe nuk mund të ketë të ardhme tjetër për ne përveçse të jemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian”, ka thënë Bogujevci.

Deputetja është solidarizuar edhe me Ukrainën, duke kujtuar se vetë është një nga të mbijetuarat e masakrave të bëra në Kosovë.

“Tani pasi që kjo është hera e parë që i adresohem seancës plenare do të doja t`ju thosha kolegëve ukrainas dhe gjithashtu popullit të Ukrainës, që mendimet tona, zemrat tona dhe lutjet tona janë me ju. Ne e dimë shumë mirë në çfarë jeni duke kaluar, unë vetë jam një e mbijetuar e masakrës së luftës në Kosovë. Ne gjithmonë do të qëndrojmë me ju në këtë luftë dhe ne shpresojmë që kjo luftë e tmerrshme do të përfundojë së shpejti dhe që drejtësia do të mbizotërojë”, ka thënë më tej nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Bogujevci në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka marrë pjesë me deputetët Arben Gashi, Besnik Tahiri e Enis Kervan.

Edhe Kosova merr fjalën për herë të parë në KiE, Bogujevci flet si e mbijetuar e luftës për luftën në Ukrainë Arbëri Kosova merr fjalën për herë të parë në KiE, Bogujevci flet si e mbijetuar e luftës për luftën në Ukrainë

Për Kosovën, në këtë seancë ka lobuar deputeti ukrainas, Oleksii Goncharenko.

“Në veçanti, dua të flas për Kosovën. Kosova duhet të njihet nga të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës. Për momentin, 12 shtetet, anëtare të Këshillit, nuk e kanë njohur ende. Po ju drejtohem, ju lutem ta njihni këtë Kosovën si shtet të pavarur siç luftuan ata për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre dhe duhet të ulen këtu së bashku me ne, të jenë pjesë e Këshillit të Evropës dhe vetëm kështu ne mund të bëhemi më të fortë”, ka thënë ai.

Kosova hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës e ka bërë në maj të këtij viti, kur edhe ka aplikuar zyrtarisht.