LAJMET E MBRËMJES

Eurodeputetja franceze për rrugën e Kosovës drejt BE-së: Ta ndalim këtë çmenduri

Deputetja franceze në Parlamentin Evropian, Dominique Bilde, ka vazhduar me reagimet e veprimet e saj kundër Kosovës. Pas një rezolute të propozuar në fillim të këtij viti, Bilde të premten ka thënë se kundërshtojnë integrimin e Kosovës në BE e heqjen e vizave. Derisa institucionet në vend kanë zgjedhur të mos përgjigjen, ndaj saj ka reaguar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Çmenduri e ka konsideruar eurodeputetja franceze, Dominique Bilde, synimin e Kosovës për t`u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Të premten Bilde ka thënë se grupi i deputetëve që ajo bën pjesë do t’i thotë jo Kosovës për anëtarësim në BE.

“Ne e refuzojmë zgjerimin e BE-së me këtë vend. Ne gjithashtu kundërshtojmë lëshimin e vizave për shumë shtetas të tyre. Është koha ta ndalojmë këtë çmenduri”, ka shkruar ajo në Twitter. Postimin e bërë Bilde e ka shpërndarë edhe një herë disa orë më pas, duke bërë thirrje që të lexohen komentet, për të parë arsyet e kundërshtimit të tyre.

Ndaj deklaratës së deputetes franceze ka reaguar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Cramon ka thënë se shumica e kolegëve në Parlamentin Evropian janë më mirë të informuar dhe e mbështesin Kosovën në përpjekjen për të bashkëpunuar me BE-në.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe qytetarët e saj meritojnë, ashtu si të gjithë evropianët, të lëvizin lirshëm”.

Kjo nuk është hera e parë që deputetja e Parlamentit Evropian ka shprehur kundërshtimin e saj kundër Kosovës. Në shkurt të këtij viti eurodeputetja Bilde inicioi një propozim-rezolutë lidhur me situatën e serbëve në Kosovë. Përmes saj ajo kërkoi përshpejtimin e themelimit të Asociacionit e hetim për veprimet e institucioneve në Kosovë lidhur me mosmbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, e siç pretendoi, sulmin ndaj kishave serbe. Eurodeputetja Bilde në rezolutë përmendi tensionet e vitit të kaluar. Derisa pretendimin e saj për “sulmin mbi kishat” e ilustroi me një fotografi në derën e kishës brenda kampusit universitar me mbishkrimin “Jezusi urren serbët”.

Për qëndrimet publike të eurodeputetes Bilde nuk kanë reaguar as Zyra e Kryeministrit e as Ministria e Punëve të Jashtme.