Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Parlamenti Evropian miraton raportin për Kosovën

parlamenti evropian

Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin e kaluar. Në këtë raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Aty u bëhet thirrje shteteve anëtare të BE-së që s’e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme dhe ta hapin rrugën e Kosovës në përparimin evropian.

Një ditë më parë, eurodeputetët debatuan për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi. Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia ta kenë prioritet dialogun për të përparuar në rrugën evropiane.

Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, është shprehur e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, ka thënë ajo gjatë debatit.

Në publikimin e Parlamentit Evropian bëhet thirrje që të dyja shtete të arrijnë pa vonesa marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizim raportesh të bazuar në parimin e njohjes reciproke.

Për Kosovën është theksuar se ka rezultate të mira në luftën ndaj korrupsionet, por bëhet e qartë se “ka nevojë për përmirësime në drejtësi”.

“Eurodeputetët mirëpresin aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe përfundimin e marrëveshjes së shumëpritur për liberalizim vizash. Duke përgëzuar arritjet e Kosovës në reformat që kanë të bëjnë me BE-në, siç është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ata theksojnë se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga përparimi në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe përmirësimet në rendin juridik të vendit”, thuhet në rezolutë. “Eurodeputetët shprehin keqardhje për faktin se iniciativat për përfshirjen e komunitetit serb në strukturat politike, sociale dhe ekonomike të Kosovës mbeten shumë të kufizuara dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës të kapërcejnë ndarjet”.

Raporti mbi Kosovën u miratua me 452 vota për, 87 kundër dhe 76 abstenime.

Të mërkurën është miratuar edhe rezoluta për Serbin. Aty është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Në raportin për Serbinë, eurodeputetët kanë thënë se Serbia mund të avancojë drejt BE-së vetëm nëse i përshtat politikat e veta me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Për Serbinë bëhet thirrje që të ketë edhe përparim në sundim të ligjit e funksionim të institucioneve demokratike. Është shprehur shqetësimi se në Serbi ka në vazhdimësi rënie në përkrahje çështja e pranimit në BE. Raporti për Serbinë u miratua me 508 vota pro, 76 kundër e 37 abstenime.

Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk kanë nuk janë obliguese për vendet anëtare.

Artikuj të ngjashëm