“Ne duhet të gjejmë modele dhe mënyra që do t’u hyjnë në punë serbëve që jetojnë në Kosovë, ata janë shtetas të dyfishtë. Atyre duhet t’u garantohet e gjithë mbrojtja nga institucionet në Kosovë. Po ashtu, duhet të lejohen që të marrin pjesë në jetën sociale, politike dhe ekonomike të Serbisë, kështu që është një mundësi aty”, ka thënë të enjten emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë, të enjten, se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do të zbatohet.
Në një konferencë të organizuar nga Këshilli Atlantik, Escobar nuk ka dhënë hollësi se si do të bëhet Asociacioni, që është kundërshtuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës. Por ka thënë se ekzistojnë modele në Evropë që mund të merren për bazë. “Ne duhet të gjejmë modele dhe mënyra që do t’u hyjnë në punë serbëve që jetojnë në Kosovë, ata janë shtetas të dyfishtë. Atyre duhet t’u garantohet e gjithë mbrojtja nga institucionet në Kosovë. Po ashtu, duhet të lejohen që të marrin pjesë në jetën sociale, politike dhe ekonomike të Serbisë, kështu që është një mundësi aty. Nëse ne nuk e zgjidhim këtë çështje, ne do të jemi në një rreth të përhershëm krizash”, ka deklaruar Escobar.
Domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë, Kosovës dhe Serbisë ua ka kujtuar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, në deklaratën pas dakordimit për çështjen e targave.
“Palët e kuptojnë se marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut duhet të zbatohen”, thuhet, mes të tjerash, në deklaratën e Borellit.
Zbatimi i tyre është pjesë edhe e deklaratës së përbashkët të vendeve të BE-së, e cila pritet të miratohet në samitin ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, më 6 dhjetor. Vendet anëtare të BE-së presin përparim konkret në dialogun Kosovë-Serbi.
“Ne presim përparim konkret nga Beogradi dhe Prishtina në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të marrëdhënieve, e cila është vendimtare për paqen në rajon dhe vazhdimin e rrugës evropiane të të dyja palëve”, thuhet në deklaratën e vendeve të BE-së.
Për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, përfaqësuesi i BE-së, Joseph Borrell, ka paralajmëruar takim të liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Por një javë pas këtij paralajmërimi, takimi nuk është zhvilluar e as nuk është dhënë ndonjë datë për mbajtjen e tij. Normalizimi i marrëdhënieve, sipas kornizës së propozimit evropian, është paraparë të arrihet deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
Afatizimin e procesit, analistët e konsiderojnë të nevojshëm, por ngrehin dyshime për rezultatet që mund të arrihen.
Gazmir Raci e Dorajet Imeri vlerësojnë se afatet kohore të përcaktuara “janë të rëndësishme”.
Raci thotë se Bashkimi Evropian duhet që të insistojë te palët që t’u përmbahen afateve të përcaktuara.
“Tash pritet intensifikim i takimeve se e kemi të qartë një afat dhe BE-ja duhet të jetë shumë më proaktive në realizimin e takimeve mes liderëve. Është mirë që të shmangen takimet e nivelit teknik dhe të koncentrohet puna në nivelin më të lartë të mundshëm”, u shpreh ai.
E profesori i Shkencave Politike, Dorajet Imeri, thotë se mospërcaktimi i afateve e temave të dialogimit janë “pikat e dobëta” të gjithë procesit të bisedimeve.
“Palët nuk janë marrë vesh se deri kur do të negociojnë dhe për çfarë do të negociojnë dhe shpeshherë dialogu sigurisht se ka krijuar aso pritjeje, të cilat shpeshherë kanë dalë jashtë kornizës së madhe të tyre”, ka thënë Imeri.
Propozimin e bërë nga Bashkimi Evropian, e që fillimisht ishte i njohur si franko-gjerman, kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar “bazë të mirë” për vazhdimin e bisedimeve, ndërkohë Serbia e ka quajtur “të papranueshëm”.
“Ne duam një marrëveshje, të shkojmë në dialog. Por Beogradi e Vuçiqi duket se nuk e duan këtë. Ne duam marrëveshje që do ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë. Nëse Beogradi thotë se nuk do të ndodhë, atëherë është kundër marrëveshjes”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për “N1” para pak ditësh.