Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit, ka thënë të premten emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë.
Ai ka shprehur njashtu pritjen që jo temë të diskutohet midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë gjatë takimit të 18 gushtit në Bruksel. Porse ka insistuar që ujdia duhet të gjejë zbatim.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj, duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, tha Escobar.
Për zbatimin e marrëveshjes, Escobari ka thënë se duhet të gjendet një model bazuar në ato evropiane, në kuadër të të cilave, minoritetet mbrojnë trashëgiminë e tyre, por nuk e shkelin kushtetutën e vendit ku jetojnë.
“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për ta zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel, më së voni gjatë këtij muaji”, tha Escobar.
Escobari është shprehur se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ua ka thënë presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti se diskutimet për Asociacionin duhet të nisin.
Ai ndërkaq është shprehur optimist se do të gjendet një zgjidhje e përhershme lidhur me çështjen e targave të veturave, si dhe se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje për personat e pagjetur.
Deklarimi i Escobarit është adresuar një ditë pasi që përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka përsëritur kërkesën që Kosova ta themelojë sa më shpejt Asociacionin.
Zyrtarë nga BE-ja kanë konfirmuar se takimi mes Kurtit e Vuçiqit do të mbahet më 18 gusht. E bindur që ky takim do të jetë konstruktiv është shprehur të premten kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Ajo, në një takim të mbajtur me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, është cituar të ketë thënë se prioritet i vendit është ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në rajon.