Legjislatura e nëntë nuk është konstituuar as në tentativën e 45-të. Taborët politikë kanë insistuar edhe të premten në qëndrimet e tyre – njëri që të ketë votim të fshehtë, ndërsa tjetri të hapur për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Për bllokadën e deritashme, ata kanë vazhduar që fajin ta hedhin te njëri-tjetri
Ligjvënësit nuk kanë reflektuar as të premten, në ditën kur është konsumuar gjysma e kohës që Gjykata Kushtetuese ua ka dhënë si afat për konstituimin e Kuvendit.
Në tentimin e 45-të me radhë, deputetët janë treguar unikë veç për ta mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit serb në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës.
Pas kësaj, ka vijuar skenari i moçëm.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, u ka kërkuar partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, që të propozojnë emra për anëtarë të Komisionit për votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ata nuk kanë dhënë propozime, porse e kanë fajësuar kryesuesin dhe kanë adresuar akuza për partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Propozoj që të ktheheni në rendin e ditës dhe ta respektoni Gjykatën Kushtetuese, të ktheheni në procedurë”, ka thënë Ekrem Hyseni, deputet i Lidhjes Demokratike (LDK).
Abelard Tahiri, deputet nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), e ka kualifikuar të papranueshme “shkeljen kushtetuese” nga kryesuesi i seancës.
“Sot është hera e 45-të që kryesuesi është duke e shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është e papranueshme dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të të mbajnë mend si një njeri që, për 45 seanca radhazi, e ke mbajtur peng konstituimin e Kuvendit”, ka thënë ai.
Të dy deputetëve, kryesuesi ka urdhëruar që t’u ndalet mikrofoni. Fjala nga regjia i është ndërprerë edhe deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj.
Por, ajo është penguar që të flasë edhe pa mikrofon nga zhurma e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
E ndaj njërës prej tyre, Kadrijaj ka përdorur gjuhë joparlamentare.
“Fitore, shko merre terapinë njëherë, a e ke marrë terapinë”, ka thënë ajo, teksa ka aluduar te deputetja Fitore Pacolli.
Kryesuesi më pas e ka nxjerrë në votim formimin e Komisionit, porse ngjashëm sikurse herët e tjera, nuk ka marrë vota të mjaftueshme. Pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesi, si në disa herë të kaluara, deputetë që e kundërshtojnë skenarin e LVV-së kanë qëndruar në sallë dhe e kanë zhvilluar një diskutim të shkurtër.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur pakënaqësi për bllokadën.
“Fjala ime sot është një protestë. Protestë ndaj një partie, e cila e ka marrë peng këtë Kuvend. Protestë ndaj një pushteti, të cilit fare s’i intereson jeta e rëndë me të cilën sot përballen qytetarët e Republikës së Kosovës, i intereson vetëm ruajtja e pushtetit të vetë”, ka thënë ajo.
Ligjvënësi i LDK-së, Ekrem Hyseni, e ka akuzuar LVV-në për uzurpim të institucioneve.
“Uzurpimi i institucioneve, shkelja e Kushtetutës, ikja nga procedura, rendi i ditës në seancat konstituive- janë dëshmi shtesë se këta njerëz e bëjnë atë çfarë i konvenon pushtetit, por jo qytetarit”, është shprehur ai.
E deputetja e AKK-së, Kadriaj, kritika ka pasur për kryetarin e LVV-së dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Albin Kurti është strumbullari i keqpërdorimeve, është strumbullari i korrupsionit bashkë me kabinetin e tij dhe ky strumbullar, ky akter, po e mban peng sot shtetin e Kosovës”, ka thënë ajo.
Jashtë sallës së Kuvendit, ligjvënës të Vetëvendosjes e kanë cilësuar shkelje diskutimin e zhvilluar brenda seancës dhe i kanë fajësuar oponentët për bllokadën.
“Po e bëjnë shkeljen e parë, duke mos marrë pjesë në votim, ndërsa shkeljen e dytë duke e vazhduar diskutimin, përkundër se është qartësisht e theksuar në rregulloren e punës së Kuvendit se seanca konstituive nuk ka debat parlamentar, nuk ka diskutime, ka proces të votimit”, ka thënë deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo ka shprehur pakënaqësi edhe për gjuhën e përdorur në seancë nga deputetja Kadrijaj.
“Targetimi dhe fyerja e ofendimi që i bëhet një deputeteje grua në Kuvendin e Kosovës është i papranueshëm, i dënueshëm dhe si i tillë nuk bën të kthehet në normë ose të përsëritet”, ka thënë Kusari-Lila.
Vazhdimi i 46-të i seancës konstituive është caktuar të mbahet sërish pas 48 orësh - të dielën nga ora 11:00.