Zëvendëskryeministrja e Sllovenisë, njëherësh edhe ministre e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon, është pritur të hënën nga krerët e institucioneve në Kosovë. Derisa takimet me Osmanin, Konjufcën e Kurtin ishin të mbyllura, temat e diskutuara me homologen kosovare, Donika Gërvalla, Fajon i ndau në një konferencë për media. Nga aty, ajo bëri thirrje për zhvillimin e diskutimeve lidhur me propozimin evropian. E ministrja Gërvalla tha se negociatat me Serbinë duhet të nisin sa më parë e të jenë intensive.
Nisjen e bisedimeve lidhur me propozimin evropian, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e ka kërkuar të hënën edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Fajon ka ofruar mbështetjen e Sllovenisë në këto diskutime, derisa ka bërë thirrje që ato të zhvillohen sa më shpejt.
“Shumë shpesh kemi folur për marrëdhëniet, për gjendjen në pjesën veriore të Kosovës dhe unë gjithmonë kam thënë që Kosova të përpiqet për normalizimin e marrëdhënieve dhe nuk duhet të bëhet përshkallëzimi i gjendjes andej. Dhe të fillojnë negociatat, të flitet në lidhje me propozimin e sponsorizuar të Bashkimit Evropian që e kanë në tavolinë në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës”, ka theksuar Fajon.
E gatshme për të vazhduar negociatat është deklaruar edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla.
Në konferencën e përbashkët me Fajonin, Gërvalla tha se janë duke kërkuar intensitet në takimet me Serbinë.
“Ne jemi të gatshëm dhe me shumë ngulm kërkojmë që atë çfarë ka thënë BE-ja në gusht, që do të kemi takime të rregullta, që ato takime të fillojnë më në fund me qëllim që të mos vazhdojmë të flasim për çështje teknike, të vogla, minore, të cilat në një moment të caktuar ngrihen në mënyrë artificiale dhe krijohen konflikte, por të fillojmë të flasim rreth zgjidhjes së çështjeve tona bilaterale, gjë që është e domosdoshme”, ka deklaruar gërvalla.
Pjesë të dialogut Gërvalla e sheh edhe Marrëveshjen për Asociacionin, themelimi i të cilit, sipas ministres së Jashtme, nuk do të bëhet.
“Kjo qeveri e Republikës së Kosovës nuk do të kërkojë rrugica për të implementuar një asociacion i cili e shkel Kushtetutën e vendit tonë. Se cila do të jetë rrjedha e bisedave në Bruksel në kuadër të marrëveshjes finale, se cilat do të jenë koncesionet që edhe Serbia do të jetë e gatshme t’i bëjë në raport me të drejtat e minoriteteve në Serbi e shumë e shumë tema të tjera mbetet të diskutojmë në kuadër të dialogut”, ka theksuar Gërvalla.
Gjatë vizitës në Kosovë, kryediplomatja sllovene është takuar edhe me krerët e shtetit.
Takimet e zhvilluara me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca e kryeministrin Albin Kurti ishin të mbyllura për media, e pas përfundimit të tyre nuk pati deklarime për media.
Detajet, nga krerët e institucioneve u shpalosën nëpërmjet komunikatave për shtyp.
Sipas tyre, dialogu Kosovë-Serbi, zhvillimet në veriun e Kosovës, e marrëdhëniet me Slloveninë, ishin temat kryesore të diskutimit.