Zyrtari policor, Mirsad Kryeziu, ka dëshmuar të mërkurën për ngjarjet e natës së 24 shtatorit të vitit 2023, kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit. Ai ka rrëfyer për momentet kur kanë nisur të shtënat e serbëve ndaj Policisë së Kosovës, si dhe për vrasjen e kolegut të tij, Afrim Bunjaku. Në rastin, në të cilin janë duke u gjykuar tre serbë, dy ditë më parë patën dëshmuar edhe dy kolegë policë të Kryeziut
Lëndimet trupore dhe traumat psikologjike të cilat i ka përjetuar në natën e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës në Banjskë të Zveçanit zyrtari policor Mirsad Kryeziu, i ka rrëfyer të mërkurën para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në gjykimin ndaj të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimit Toliq, polici Kryeziu, i cili në natën e sulmit ka qenë përgjegjës i njërit prej njësiteve policore që ka marrë pjesë në aksionin kundër grupit paramilitar serb, ka theksuar se më 24 shtator të 2023-tës gjithçka ka qenë normale deri në momentin kur ekipi policor ka vënë re dy kamionë në hyrje të Banjskës, fshat në Zveçan që është komunë e banuar kryesisht me serbë në veri të Kosovës.
“Dyshimet tona ishin sepse ne edhe më herët kemi hasur në këso bllokada të rrugëve dhe gjatë gjithë këtyre bllokadave që janë bërë në pjesë të ndryshme të Mitrovicës janë vërejtur njerëz që këto bllokada i kanë ruajtur me armë, e sidomos me armë të gjata”, ka theksuar ai në dëshminë para trupit gjykues.
Dëshmia e Kryeziut i ka pasuar ato të dy kolegëve të tij policë, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri, të cilët janë paraqitur të hënën në gjykatore.
Kryeziu të mërkurën ka shpalosur hollësi edhe për momentin, kur e ka kuptuar se rreshteri Afrim Bunjaku është plagosur rëndë.
“Kam dëgjuar një shpërthim dhe kanë filluar gjuajtjet në drejtim të pozicioneve tona. Unë për një moment jam larguar nga kamioni dhe jam nisur në drejtim të policëve, ku ishin të vendosur dhe gjatë shkuarjes aty kam vërejtur se nga ai detonim njëri nga pjesëtarët tanë ishte i shtrirë në tokë, që në fakt ishte Afrim Bunjaku, i shtrirë në tokë dhe i mbuluar me gjak”, ka rrëfyer ai.
Kryeziu e ka vlerësuar sulmin e tre vjetëve më parë si mirë të menduar teksa ka theksuar se ai ka qenë organizuar nga struktura ushtarake.
Ai ka thënë po ashtu se edhe fshati Banjskë është përzgjedhur qëllimshëm për sulm, shkaku i pozicionimit të favorshëm të terroristëve.
“Kishte edhe pelegrinë në Manastir atë ditë, duke i përdorur edhe ata si mbrojtës, duke u pozicionuar në pozita të mira dhe të favorshme për sulmuesit. Është e qartë se prapa tyre kishte një pozicion e vend të lirë, ku ata në mossuksesin e tyre të arritur fatmirësisht kanë pasur edhe një rrugë për t’u larguar”, ka thënë polici Kryeziu.
Lidhur me sulmin e fundshtatorit të 2023-tës, Prokuroria Speciale ka ngritur në shtator të vitit të shkuar aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 43 personave të tjerë për sulmin në Banjskë. Tre prej tyre janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe po gjykohen, ndërsa për 41 të tjerë është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.
Aktakuza i ngarkon shumicën e të akuzuarve për kryerje të terrorizmit dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Sipas dokumentit prej 158 faqesh, Radoiçiqi ngarkohet edhe me akuzën për lehtësim dhe financim të kryerjes së terrorizmit dhe shpëlarje të parave, ndërsa Radulle Steviq dhe personi juridik RAD D.O.O. me shpëlarje të parave. Në aktakuzë thuhet se grupi i serbëve të armatosur, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.