LAJMET E MBRËMJES

Deputetët përplasen për projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor ka ngjallur mospajtime brenda shumicës parlamentare, për çka rezultoi që dokumenti i sponsorizuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të mos kalojë në parim. Polemika mes ministrit e deputetëve, veçmas atyre të opozitës, ka nxitur edhe një projektligj tjetër në fushën e shëndetësisë. Me gjithë debatin disa orësh, deputetët miratuan vetëm tri ligje

Pa qenë fare në rendin e ditës, Ligji për rregullimin e çmimit të barnave, që të mërkurën u miratua në Qeveri, ka nxitur polemika në seancën e së enjtes mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputetëve të Partisë Demokratike.

Vitia u kritikua nga PDK-ja për vonesa në dërgimin e këtij Ligji në Kuvend.

Ndaj këtij argumenti, ministri u kundërpërgjigj me pyetje se pse qeverisja disavjeçare e PDK-së nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

“Në Qeverinë e PAN-it a e dini sa ligje janë proceduar në Ministrinë e Shëndetësisë qytetarë të nderuar? Zero!” ka thënë ai.

“Po kërkon llogaridhënie pse në kohën e PAN-it asnjë ligj nuk është miratuar për 18 muaj të PAN-it. Po harron që je qe dy vjet në Qeveri, zero ligje i ke sjellë në Kuvend. Zero për dy vjet”, u shpreh deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Vitia e Haxhiu gjatë diskutimit i referoheshin njëri-tjetrit me ironi për profesionet që kanë.

“I nderuari profesor doktor i fizioterapisë, zoti Bekim Haxhiu”, iu drejtua ministri Vitia deputetit Haxhiu. “I nderuar doktor i përgjithshëm, kandidat për specializim qe 18 vjet”, iu përgjigj Haxhiu.

“Ministër, pse s’po e kryen doktoraturën si Bekimi, ti?” ndërhyri kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Edhe një ligj tjetër i sponsorizuar nga ministri i Shëndetësisë ngjalli mospajtime mes tij e deputetëve. Kësaj radhe jo vetëm me ata të opozitës.

Disa deputetë të partisë prej nga vjen - Vetëvendosje, nuk ishin të pajtimit që projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor të kalonte në mënyrën se si ishte hartuar.

“Në njërin prej neneve, e drejta e fertizilimit u jepet edhe vajzave të pamartuara. Por edhe çështje të tjera të cilat u folën edhe nga deputetët e tjerë. Andaj unë personalisht nuk do të marrë pjesë në këtë votim dhe kisha kërkuar nga ministri ta tërheqë”, tha deputeti i VV-së, Eman Rrahmani.

Ndaj Rrahmanit reagoi bashkëpartiakja, Saranda Bogujevci.

“Përderisa unë kam dashur të bëhem nënë, për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofruar shkenca për të ma mundësuar atë të drejtë e jo të ma determinojë një burrë, që unë duhet medoemos të kem një burrë me të cilin martohem për t’u bërë nënë”, iu drejtua Bogujevci.

Për shkak se 10 deputetë të shumicës abstenuan e disa të tjerë nuk morën pjesë në votim, ky projektligj, i cilësuar si shumë i rëndësishëm nga ministri Vitia, nuk kaloi.

Në seancën paraprake, kryeparlamentari i kërkoi administratës që deputetes Albena Reshitaj të mos ia jepte mëditjen me arsyetimin se qëndroi shkurt në seancë, për çka deputetja reagoi ndaj tij të enjten.

“Nuk ke të drejtë të më ofendosh publikisht. Unë nuk marrë mëditje për dy mandate, vetëm një herë jam përkrahur nga Kuvendi”, tha Reshitaj.

“Ju me njihni mirë dhe e dini mirë që shumë rrallë bëj qortime publike të deputetëve. Ato i bëj vetëm kur ia teprojnë, siç bëtë ju dje”, iu përgjigj Konjufca.

Një pjesë e gjatë e seancës vazhdoi pa praninë e asnjë deputeti të LDK-së brenda sallës.

Nga seanca mbi pesëorëshe e Kuvendit u miratuan vetëm dy ligje, njëri për pyjet e tjetri për sigurinë e përgjithshme të produkteve.