Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shtruar në Bruksel kërkesën për një konferencë ndërkombëtare, në të cilën do t’u jepej zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. E kryediplomati evropian, Josep Borrell, kërkoi veprime të shpejta nga të dyja palët, pasi tha se vendeve anëtare po u humb durimi.
Vendeve të Bashkimit Evropian u ka humbur durimi me Kosovën dhe Serbinë, tha të martën përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
Në konferencën për media, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Borrell kërkoi veprime të shpejta nga të dyja palët.
“E kam bërë të qartë dhe ky është qëndrimi i shteteve anëtare se palët duhet të shtensionojnë situatën dhe të gjejnë një rrugë përpara bazuar në planin e BE-së që u është prezantuar atyre javën e kaluar në Bruksel. Jemi pajtuar që situata kërkon lëvizje të shpejtë, kërkon gjetjen e një zgjidhjeje urgjente dhe mund t’ju them që vendet anëtare janë pajtuar për këtë urgjencë dhe janë duke humbur durimin përballë kësaj situate që është duke vazhduar, andaj kërkojnë veprime të shpejta”, tha Borrell.
Ndërkaq, kryeministri Rama tha se Kosova dhe Serbia duhet të përballen me pasoja, në rast se nuk arrijnë marrëveshje mes tyre dhe përsëriti kërkesën për një konferencë ndërkombëtare.
“Faleminderit që ndatë me ne më shumë dëshmi për humbjen e durimit të shteteve anëtare dhe rritjen e shqetësimeve. Shpresoj shumë se ideja e një konference në nivelin më të lartë do të marrë mbështetje dhe t’i bëjë palët bashkë, me ndihmën e BE-së dhe SHBA-së dhe që të mos i lejojnë të dalin ata pa marrëveshje, në të kundërtën të përballen me të gjitha pasojat”, tha Rama.
Javën e shkuar, kryeministri Rama bëri thirrje për një konferencë ndërkombëtare, me synimin që brenda saj t’u jepet zgjidhje të gjitha mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
-
Sorensen për vizitën në Kosovës e Serbi: Pashë përkushtim për normalizim e marrëdhënie të mira fqinjësore
-
Rama nga Brukseli: Kemi më shumë përgjegjësi, ky është fillimi i fundit
-
Rama: BE-ja të ecë përpara me aplikimin e Kosovës për anëtarësim
- E pakuptimtë që kryeministri i Shqipërisë të ketë ambiciet e njëjta drejt BE-së me presidentin e Serbisë
-
Rama e Vuçiqi me ide të përbashkët, anëtarësi të klasit të dytë në BE