Vetëm pak orë pasi Josep Borrell theksoi se vendeve të BE-së po u humb durimi, përfaqësues të Komisionit Evropian paralajmëruar se do të ndërmerren një numër masash kundër Kosovës, e të cilat do të komunikohen këtë javë. Eurodeputetë kritikuan qasjen e BE-së, duke thënë se presioni po bëhet vetëm në Kosovën dhe se masa duhet të aplikohen edhe ndaj Serbisë
Vendeve të Bashkimit Evropian (BE) u ka humbur durimi me Kosovën dhe Serbinë, ka thënë të martën përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell.
Në konferencën për media, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Borrell kërkoi veprime të shpejta nga të dyja palët.
“E kam bërë të qartë edhe pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së se palët duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje, sipas planit të BE-së, që u është prezantuar atyre javën e kaluar në Bruksel. Situata kërkon hapa të shpejtë dhe zgjidhje të shpejtë, dhe mund t’ju them që vendet janë duke humbur durimin, andaj kërkojnë veprime të shpejta”, ka thënë Borrell në një konferencë për media me Ramën në Bruksel.
E disa orë pasi e dha këtë deklaratë, në Komisionin Evropian u paralajmërua se do të ndërmerren një numër masash kundër Kosovës, e të cilat do të komunikohen në këtë javë.
Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman, theksoi se situata është brengosëse dhe autoritetet e Kosovës nuk u janë përgjigjur kërkesave të BE-së.
“Fatkeqësisht, Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës në kuptimin e organeve të Stabilizim-Asociim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor, e cila nuk do të procedohet në këtë moment. Mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu, do të pezullohen”, ka thënë ai. “Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe po ashtu do të pezullohen”.
Ai foli për masat, derisa së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mori pjesë në një debat në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.
Koopman tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.
Gjatë këtij debati, Lajçak u ka sqaruar eurodeputetëve hapat konkretë që BE-ja u ka propozuar Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Në këtë debat, shumica e deputetëve të PE-së kanë kritikuar qasjen e BE-së. Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë.
Deputetët e PE-së kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj Serbisë, por as Lajçak dhe as Koopman nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje.
Dy zyrtarët evropianë, megjithatë përsëritën disa herë se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë”.
Lajçak u shpreh i gatshëm të ndajë detaje me deputetët evropianë për hapat që u janë kërkuar palëve për të shtensionuar situatën.
Si hap të parë ai përmendi tërheqjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, paralelisht me tërheqjen e protestuesve. Hap i dytë, sipas tij, është zhbllokimi i hyrjes së kamionëve me mallra nga Serbia në Kosovë, ulja e nivelit të gatishmërisë dhe tërheqja e forcave ushtarake të Serbisë nga afërsia e kufirit me Kosovën dhe mosdërgimi i tyre në atë zonë. Ai po ashtu tha se përgjegjësit për dhunën në veri duhet të dalin para drejtësisë dhe misioni i BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) do të duhej të monitoronte proceset ndaj tyre.
Lajçaku ka përmendur edhe kërkesën e bllokut që të shpallen zgjedhjet e reja në katër komunat në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – publikisht të deklarojë se do të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Ai tha se po punohet në dy opsione për shpalljen e zgjedhjeve. Opsioni i parë, sipas tij, është më i lehtë dhe ka të bëjë me mundësinë e dorëheqjes së kryetarëve të rinj të komunave në veri. Opsioni tjetër, sipas Lajçakut, politikisht është më i përshtatshëm pasi largimi i kryetarëve do të bëhej përmes një peticioni të nënshkruar nga qytetarët.
Kritikave për anshmëri dhe “përkëdhelje” të Beogradit, Lajçak iu përgjigj duke thënë se ai kryen “mandatin në mënyrë të paanshme” dhe theksoi se kritikohet nga të dyja palët.
“Unë jam mjaft i drejtpërdrejtë në takime me ta. Por, qortimi publik dhe fajësimi do të ishte rrugë drejt katastrofës në dialog”, tha Lajçaku, duke iu përgjigjur kritikave të eurodeputetëve se ai ka qenë i butë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai shprehu brengën edhe për intensifikim të dhunës.
“Po shoh akte të dhunshme që mund të rilindin sepse eskalimi vazhdon të ndodhë”, ka thënë Lajçak. “Pa një marrëveshje për shtensionim nuk mund të kthehemi tek implementimi i vetë dialogut. Jemi në një udhëkryq të dialogut”.
E, për situatën ka folur edhe kryeministri i Shqipërisë, pas takimit me Borrellin. Rama ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përballen me pasoja, në rast se nuk arrijnë marrëveshje mes tyre dhe përsëriti kërkesën për një konferencë ndërkombëtare.
“Faleminderit që ndatë me ne më shumë dëshmi për humbjen e durimit të shteteve anëtare dhe rritjen e shqetësimeve. Shpresoj shumë se ideja e një konference në nivelin më të lartë do të marrë mbështetje dhe t’i bëjë palët bashkë, me ndihmën e BE-së dhe SHBA-së dhe që të mos i lejojnë të dalin ata pa marrëveshje, në të kundërtën të përballen me të gjitha pasojat”, ka thënë Rama.
Javën e shkuar, kryeministri Rama bëri thirrje për një konferencë ndërkombëtare, me synimin që brenda saj t’u jepet zgjidhje të gjitha mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se nuk duhet të lejohet që gjithçka e arritur në rajon “të shembet si një kullë prej rëre”.
Sipas tij, lirimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë përbën lajm të mirë, dhe tani është koha për shtensonim urgjent.
Tre policët janë liruar nga paraburgimi më 26 qershor dhe do të mbrohen në liri.
Ata janë arrestuar më 14 qershor. Serbia i ka akuzuar për: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.
Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se ata janë rrëmbyer nga territori i Kosovës, por Serbia deklaron se i ka arrestuar në territorin e saj.
Arrestimi i tyre përbën vetëm një prej arsyeve të rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Atmosfera është përkeqësuar prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut.
Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se vendet e rajonit nuk mund të jenë indiferente ndaj tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi pjesë e rajonit, i cili ka vuajtur shumë në të kaluarën dhe nuk mund të jetojmë me kthim prapa. Zhvillimet nuk janë të ndara nga njëra-tjetra dhe nuk mund ta shikojmë vetëm punën dhe detyrat tona, pa u shqetësuar se çfarë ndodh rreth nesh”, ka thënë Rama.
Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, kryeministri Rama ka mbajtur qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve kosovare.
Mospajtimi i Ramës, sidomos me përgjigjen që kryeministri Kurti ka në raport me kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri, ka çuar në anulimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e paraparë të mbahej më 14 qershor në qytetin e Gjakovës.
Rama është kritikuar edhe për propozimin e një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pa u dakorduar paraprakisht me Kosovën.