LAJMET E MBRËMJES

Bizneset ankohen për mungesë të fuqisë punëtore, të rinjtë për mungesë të vendeve të punës

Për herë të 14-të me radhë, të mërkurën është hapur në Prishtinë Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës. Rreth 130 kompani vendore e ndërkombëtare prezantuan mundësi punësimi. Ambasadori gjerman Jorn Rohde tha se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve në Kosovë

Afro 130 kompani vendore dhe ndërkombëtare ofruan vende pune dhe mundësi bashkëpunimi në Panairin Kombëtar të Punës dhe Karrierës që këtë vit u hap për të 14-tën herë. Në hapje morën pjesë shumë qytetarë, kryesisht të rinj të cilët shprehën interesim për ofertat e prezantuara. 

“Sipas meje sfidat janë shumë të mëdha për punësim duke e pasur parasysh edhe konkurrencën edhe gjërat e tjera në Kosovë por është një ndihmë shumë e madhe për ne edhe qendrat për karrierë, por edhe këto panaire”, ka thënë studentja Doresa Berisha. 

Për bizneset u tha se sfidë kryesore mbetet mungesa e fuqisë punëtore, ndërsa për të rinjtë, mungesa e vendeve të punës në Kosovë.

Në hapje mori pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve përmes bashkëpunimit me institucionet kosovare.

“Së bashku me partnerët, përkatësisht Agjencinë e Punësimit dhe universitetet publike, po bashkëpunojmë në hartimin dhe zbatimin e iniciativave për të mbështetur të rinjtë përmes programeve të trajnimit, praktikave, mbështetjes për startupe dhe punësim”, ka deklaruar Rohde. 

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Agron Dobruna, deklaroi se panairi i punës është një ngjarje që me vite ka dëshmuar sukses.

“Sot në këtë sallë kemi mbi 130 kompani vendore dhe private që kanë zgjedhur të jenë prezentë në panairin e sotëm, edhe për të rekrutuar punëtorë të rinj por edhe për të gjetur talente”, ka bërë të ditur Dobruna. 

Ndërsa nga Universiteti i Prishtinës, prorektorja Majlinda Gjelaj tha se kjo ngjarje që po i lidh punëkërkuesit dhe punëdhënësit ka një vlerë të jashtëzakonshme.

“Do ta shfrytëzojmë rastin që duke e pasur këtë rini kaq të interesuar, kaq kreative e të shkathët në aspektin digjital të jemi në hap me kohën dhe të ofrojmë atë çka atyre iu nevojitet. Kjo është një mundësi shumë e mirë për studentë”, ka thënë Gjelaj. 

Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës 2025 u organizua nga Agjencia e Punës, Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare me mbështetje nga GIZ-i.