Pushteti e ka dështuar mbledhjen e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, në të cilën ishte planifikuar të raportonte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Bislimi nuk u paraqit në të e as deputetët e partive që e përbëjnë shumicën. E, ligjvënësit opozitarë e fajësuan kryenegociatorin Bislimi për joseriozitet e papërgjegjësi
Ka dështuar mbledhja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, në të cilën ishte paraparë të raportonte zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.
Në sallë munguan ligjvënësit e partive në pushtet dhe u paraqitën katër deputetë opozitarë.
Kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, tha se zëvendëskryeministri e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe ka pasur çështje për të cilat e ka obligim t’i raportonte Komisionit për Integrime.
“Qëllimi i takimit ka qenë që Bislimi të tregojë në lidhje me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, sepse ne si komision ende nuk e kemi listën e projekteve për IPA dhe në bazë të rregullores zëvendëskryeministri do të duhej ta sillte listën e projekteve. Po shihet serioziteti i kësaj Qeverie”, ka deklaruar Krasniqi.
E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se Qeveria po i ikën opozitës, derisa ngjiti edhe fotografi të Bislimit tek shihet në momentin duke hedhur shishen në drejtim të deputetit Mërgim Lushtaku, nga i cili paraprakisht ishte lagur me ujë.
“Sa më herët që ky pushtet e liron detyrën e tij, sa më herët që do të kemi zgjedhje do të jetë lajm i mirë për Kosovën, pasi kjo qeveri vetëm kredibilitet dhe legjitimitet s’ka. Këta njerëz që kanë aq marrëzi që të ikin prej opozitës dhe qytetarëve dhe ta lënë në këtë pozitë Kosovën, vetëm legjitimitet dhe kredibilitet për të ushtruar pushtet sot s’kanë. Ata duhet t’i lirojnë pozitat e tyre dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, ka deklaruar Deliu.
Për mungesë serioziteti, Bislimin e ka akuzuar edhe deputetja e AAK-së, Time
Kadrijaj.
“Kjo Qeveri po ikën prej përgjegjësisë për të ardhur për të raportuar se për çfarë kanë dialoguar”, është shprehur Kadrijaj
Këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, ka theksuar se nuk ka pasur kuorum për mbajtjen e mbledhjes, prandaj edhe zëvendëskryeministri nuk ka marrë pjesë në Komision. E kjo mbledhje vjen një javë pas rrahjes masive në Kuvend, e ku njëri nga protagonistët ishte vetë zv.kryeministri Bislimi. Ai u përfshi në përplasjen fizike pas reagimit që pati ndaj deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili sulmoi kryeministrin Kurti derisa ky i fundit po fliste në foltore