Në Brukselin zyrtar kanë paralajmëruar të mërkurën se përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do të kërkojë personalisht në New York nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të merren masa për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të këtij sulmi
Bashkimi Evropian (BE) ka përsëritur thirrjet të mërkurën që kryerësit e sulmit terrorist në Banjskë të nxirren para drejtësisë, duke shprehur shqetësim për faktin se ata në vend që të jenë para gjyqit, po marrin pjesë në protesta në Serbi.
Në BE kanë paralajmëruar se përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do të kërkojë personalisht në New York nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të ndërmerren masa për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të këtij sulmi.
Këto për KOHËN i ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me hapat që i ka ndërmarrë blloku evropian për t’i nxjerrë para drejtësisë sulmuesit e Banjskës.
“Sulmi i para dy vjetëve, më 24 shtator të vitit 2023 në fshatin Banjskë, nga sulmuesit e armatosur serbë të Kosovës kundër Policisë së Kosovës, seriozisht e rrezikoi sigurinë në rajon. Ky sulm i tmerrshëm atë ditë la të vdekur një oficer policie dhe dy të plagosur. BE-ja i përsërit thirrjet për llogaridhënie për përgjegjësit për kryerjen e këtij sulmi”, ka thënë një zëdhënës i BE-së. “Presim nga autoritetet e Serbisë që të mbajnë dhe t’i procesojnë ata që gjenden në Serbi, me aktakuza përkatëse, para gjykatave në Serbi. Jemi të shqetësuar me raportimet për pjesëmarrjen e të sulmuesve të dyshuar nga Banjskë në protestat në Serbi”, thuhet më tej në reagimin e BE-së.
Zëdhënësi i BE-së ka rikujtuar se qysh në tetor të vitit 2023, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë e ka përcjellë kërkesën për asistencë të përbashkët ligjore nga ana e autoriteteve të Kosovës tek autoritetet e Serbisë për të njëjtin rast.
“Nuk ka pasur akoma ndonjë përgjigje të autoriteteve të Serbisë ndaj kësaj. Presim nga Serbia që në tërësi të bashkëpunojë për këto kërkesa, përmes vendosjes së kanaleve të përbashkëta të bashkëpunimit ligjor. Përfaqësuesja e lartë personalisht e ka ngritur këtë çështje në takim me presidentin Vuçiq. Ajo do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje tutje në takimet e radhës, në margjina të takimit të saj me liderët nga Ballkani Perëndimor në New York”, ka thënë zëdhënësi.
Bashkimi Evropian, nëpërmjet përfaqësuesit të lartë në vitin 2023, e pati karakterizuar sulmin në Banjskë si “sulm terrorist”.