Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Akcizë për qumështin pluhur dhe kontrolle të rrepta për produktet e qumështit që hyjnë në Kosovë

Armend Muja

Ministria e Bujqësisë ka zbatuar masa ndaj produkteve të qumështit që hyjnë në Kosovë, me qëllim të ruajtjes së qumështit të freskët vendor. Në këtë synim, ministri Armend Muja ka njoftuar për vendosjen e akcizës dhe për zbatimin e kontrolleve të rrepta doganore për qumështin pluhur, si dhe vajin e palmës, që po përdoren si zëvendësim për qumështin e freskët vendas

Akcizë për qumështin e importuar pluhur dhe kontrolle kufitare të shtuara për produktet e qumështit që hyjnë në Kosovë janë zbatuar të martën me vendim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministri Armend Muja, nëpërmjet një konference shtypi, ka theksuar se shkak për këto masa është bërë trendi i rritjes së importit të qumështit pluhur dhe i vajit të palmës, që po përdoren si zëvendësim për qumështin e freskët vendas.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka thënë se masat kanë për qëllim ruajtjen e prodhimit vendor.

“Është një situatë ku po i afekton ekonomitë rurale gjithandej Kosovës dhe, për pasojë, qumështi që prodhohet, në ciklet sezonale, mbetet si tepricë. Ne kemi dashur ta analizojmë saktë se nga po vjen kjo situatë dhe nga analizat tona rezulton se qumështi i freskët në Kosovë – rreth 120 milionë litra në vit – është nën presion të vazhdueshëm nga produktet e importuara. Njëra prej tyre është qumështi pluhur; kodi relevant është 401 dhe 402”, tha Muja.

Muja ka njoftuar edhe dy masa të tjera për produktet e qumështit të importuar.

“Nga dje është nënshkruar vendimi për kontrollin kufitar. Secila pako e qumështit që futet në Kosovë nga importi do t’iu nënshtrohet dy masave: Masa e parë është analiza laboratorike, do të analizohet përbërja e secilës pako. E dyta, në tregun e brendshëm, çdo produkt i qumështit do të kategorizohet drejt. Nuk do të ketë përzierje ndërmjet qumështit të freskët dhe produkteve të tjera që përmbajnë qumësht pluhur ose vaj palme”, tha ai.

E kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Naser Bajraktari, ka shprehur vërejtjen se qumështi i freskët i prodhimit vendor ka nisur të mos grumbullohet nga kompanitë vendore.

“Para rreth një muaji kemi bërë kërkesa dhe kemi zhvilluar takime në Ministrinë e Bujqësisë, në Ministrinë e Tregtisë dhe me institucionet përkatëse. Te ne prodhuesit ka filluar që të mos grumbullohet qumështi i freskët i prodhuar në Kosovë nga kompanitë vendore. Në takime të përbashkëta me ministrin Muja dhe të tjerët kemi ardhur në përfundim se duhet ta mbrojmë prodhimin vendor”, tha Bajraktari.

Masat e paralajmëruara, sipas ministrit Muja, do të aplikohen në mënyrë strikte dhe do të zbatohen për 90 ditë, me mundësi edhe të vazhdimit.