LAJMET E MBRËMJES

Shoku e ish-kolegu i Rizës thotë se u njoftuan disa herë se ishin në rrezik nga Sekiraqa

Arben Selmanaj, shoku dhe kolegu i Triumf Rizës, policit të vrarë më 2007, thotë se u njoftuan disa herë për rreziqet që atij dhe Rizës i kanoseshin nga grupi kriminal i prirë nga Enver Sekiraqa. Selmanaj, i cili tash jeton në Amerikë, tha se kishte marrë indikacione për rreziqe edhe nga zyrtarët e UNMIK-ut.

Paralajmërime e indikacione të shumta për rreziqet nga grupi i udhëhequr nga i akuzuari Evner Sekiraqa ka deklaruar se i ka marrë dëshmitari Arben Selmanaj, shok e koleg i Triumf Rizës.

Në këtë rast Sekiraqa akuzohet për shtytje në vrasjen e policit special Triumf Riza.

Selmanaj, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është shpërngulur pas vrasjes së Rizës më 2007, ka deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se në raste të ndryshme ka pasur paralajmërime se ai dhe shoku i tij i afërt janë në rrezik.

Në njërin rast ai tha se u paralajmërua prej një eprori të policisë së UNMIK-ut.

“Kishte thënë se kjo ishte sinjal prej grupit të Sekiraqës. Do të ndalem te kulmi i kësaj që ishte zyrtare është kur zyra operative e shtabit të Prishtinës, kur shefi i operativës në atë kohë Meinhoff Stofmann, na ka njoftuar me ‘memo’ dhe na ka kërkuar që të mbahet një mbledhje me mua e Triumfin edhe na ka njoftuar se Enver Sekiraqa është zënë nga inteligjenca, se gjatë përgjimit të telefonit të tij është zënë duke thënë se do ta vrasë Triumfin dhe do të dal për një kohë nga Kosova”, tha Selmanaj.

Dëshmitari tha, po ashtu, se e llogarit veten si viktimë, meqë një vit para vrasjes së Rizës, siç tha ai, grupi kriminal i Sekiraqës e kishte sulmuar në incidentin në “Swiss Casino”.

“Kështu që e kemi gjetur veten në mes dhe jemi sulmuar pa paralajmërim apo diçka. Nuk jam vetëm dëshmitar, por edhe viktimë. Ka pasur edhe raste të tjera, një rast tjetër që e ka pasur një ndeshje me vetura...Po ashtu, kur janë zënë dy persona nga Hajvalia me armë dhe me antiplumb. Kur janë marrë në pyetje kanë deklaruar që janë paguar për ta përcjellë dhe vrarë Triumfin”, tha Selmanaj.

Selmanaj theksoi se vetura e Rizës ishte djegur pak ditë pasi krijoj lidhje me këngëtaren Adelina Ismaili dhe presionet i janë rritur pas kësaj lidhjeje.

Dëshmitari tha, po ashtu, se Sekiraqa kishte një orkestër të tërë njerëzish prapa vetes.

Në pyetjet e avokates së të pandehurit, dëshmitari Selmanaj u përgjigj se nuk e mban mend emrin e personit që e tërhoqi këmbëzën për ta vrarë Triumf Rizën.

Polici Triumf Riza u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga lokali AM:PM në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Për vrasjen e tij është dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.

Këtij incidenti, siç pretendonte Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Swiss Casino” në dhjetor 2006, ku mbeti i plagosur dëshmitari Selmanaj.

Enver Sekiraqa ishte në arrati për rreth pesë vjet.

Në arrati e i dyshuar ka qenë edhe Ilir Avdullahu deri më 16 korrik 2023, kur u arrestua. Ndaj tij Prokuroria Speciale nuk ka ngritur ende aktakuzë.

Prokuroria pretendon se Sekiraqa ishte udhëheqës i grupit kriminal dhe ishte i shtyrë prej hakmarrjes, meqë, sipas saj, Riza e kishte rrahur Sekiraqën në lokalin e lojërave të fatit “Swiss Casino” në Prishtinë një vit para vrasjes së Rizës.