Muhamet Halitaj, ish-ushtar i UÇK-së, ka nisur të enjten dëshminë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku po gjykohet për krime lufte në Izbicë, Muhamet Alidemaj, i cili sipas dëshmitarit gjatë luftës ishte i njohur me nofkën “Dragani Shqiptar”.
Halitaj tha se UÇK-ja është munduar që t’i ndalë trupat serbe që ishin nisur për Izbicë, ku edhe ishte plagosur, por që nuk ia ka dalë.
“A mundësh t’i tregosh Gjykatës se çfarë ke parë atje te livadhi?” e ka pyetur prokurori.
“Kam parë një pjesë andej, përafërsisht pesëmbëdhjetë persona të vrarë, këndej njëzet, anë tjetër tridhjetë. Kam shikuar nëpër shtëpi, njëfar Shaban Rexhepi e kemi nxjerrë gjysma e trupit ka qenë e djegur, gjysma tjetër kishte mbetur e varur në dritare”, tha Halitaj.
Në pyetjen e prokurorit se nga e di që Alidemaj ishte në anën e serbëve, Halitaj u shpreh se kjo gjë ishte e ditur në të gjithë zonën dhe se njiheshin.
“Këtë e kanë ditur të gjithë. Më vjen keq që po shprehem kështu, krejt komplet me babë, përpos nënës që e kanë marrë në qafë se me babë e me krejt këta kanë qenë përkrahës të të keqit”.
Në pjesën e fundit të dëshmisë, me vendim të gjykatës, nuk është lejuar të filmohet për shkak të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarëve që i ka përmendur Halitaj.
Gjatë kësaj kohe, ai tha se me të mbërritur në Izbicë, të mbijetuarit i treguan se në masakër ka marrë pjesë edhe Muhamet Alidemaj dhe se në fshat ka pasur edhe përdhunime.
Alidemaj është arrestuar nga Policia në vitin 2021, në Kërninë të Istogut, pasi që është kthyer në shtëpinë e prindërve, pas 22 vjetësh qëndrimi në Serbi.
Masakra në Izbicë është kryer më 28 mars 1999, ku janë vrarë mbi 130 civilë shqiptarë.