LAJMET E MBRËMJES

Ministri i Jashtëm rus mbron Serbinë, por kritikohet nga Shqipëria

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, është shprehur se vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian e shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian me bombardimin që u bënë caqeve ushtarake serbe më 1999.

Lavrovi i bëri këto komente të enjten në Shkup, ku po mbahet Samiti i OSBE-së.

“Në vitin 1999, NATO kreu agresion brutal kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe në vitin 2008, duke shkelur rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum”.

Pjesëmarrja e tij në Shkup u përcoll me reagime të shumta, për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë dhe politikanëve të këtij vendi për luftën në Ukrainë.

Në fund, atij iu dha leja për të hyrë në Maqedoninë e Veriut, që është kryesuese e OSBE-së.

E për shkelje të parimeve bazë të OSBE-së, në Samitin e Shkupit, u akuzua edhe vetë Rusia.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, tha se Rusia sot paraqet kërcënimin më të madh për sigurinë e të gjithëve.

Ai ka akuzuar Rusinë edhe për përpjekjet për destabilizim të Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.

“Ne po bëjmë çmos për t'iu kundërvënë këtyre kërcënimeve së bashku me aleatët dhe partnerët tanë”, tha Hasani.

Vizita e një politikani rus në një vend anëtar të NATO-s është e rrallë qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.