LAJMET E MBRËMJES

Opozita kritikon Kurtin për Asociacionin, pushteti Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve

Kuvendi i Kosovës pritet t’i përmbyllë punimet këtë vit pa një seancë ku do të diskutohej drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Partitë opozitare konsiderojnë se Qeveria po tenton të blejë kohë dha ta shtyjë sa më shumë dialogun derisa draftin e statutit e kanë vlerësuar të rrezikshëm për shtetësinë e Kosovës. E përfaqësues të partisë në pushtet thonë se faji për ngecjet në dialog është te Serbia, që ka paralajmëruar të zbatojë vetëm copëza nga Marrëveshja Bazë

Strukturë paralele e cila minon shtetësinë e Kosovës e kanë vlerësuar përfaqësues të opozitës draftstatutin e Asociacionit, i cili nuk është zyrtarizuar ende as nga Qeveria e as nga ndërmjetësi i dialogut, Brukseli. Megjithëkëtë, mbështetur në dokumentin jozyrtar që qarkulloi pas vizitave të fundit të euro-emisarëve amerikanë, sipas PDK-së, Qeveria ka pranuar një mekanizëm i cili shkon përtej kompetencave që serbëve ua jep Pakoja e Ahtisaarit.

“Tash e një muaj krejt debati është i bazuar në një draft, i cili nuk është mohuar nga askush. Ky draft-statut të gjitha këto kompetenca të zgjeruara që i kanë komunat serbe nëse i vendos në një ombrellë ku ka vendimmarrje politike, ku ka një lider dhe kryeqendrën e saj, automatikisht e krijon një pushtet paralel. Pra, kompetencat e zgjeruara kanë qenë vetëm për me integru komunitetin serb në kuadër të këtij rendi kushtetues me kompetenca të zgjeruara”, ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri. Sipas tij, asociacionet kudo në botë nuk kanë karakter vendimmarrës, janë këshillues. “Këtu nuk po flitet më për Asociacion, pasi në kompetenca është një institucion paralel me Kosovën. Ky është kapërcimi i madh që e ka bërë Albin Kurti”, ka shtuar ai.

Ndërkaq shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha pas mbledhjes së Kryesisë se kryeministri Albin Kurti po tenton vetëm të blejë kohë në dialog.

“Z. Kurti në të gjitha proceset ka blerë kohë, nuk ka krijuar asnjë zgjidhje. Ka akumuluar probleme dhe nuk ka bërë asnjë zgjidhje. AAK-ja kur e ka mbështetur Marrëveshjen e Brukselit e ka parë si shumë problematike çështjen e sigurisë në vend. Krejt zhvillimet e sigurisë që ndodhin në Ballkanin Perëndimor nuk mund të shkojnë pa u ndikuar në Kosovë, siç ishte rasti i sulmit terrorist të 24 shtatorit”, ka theksuar Tahiri.

Nga ana tjetër, përfaqësues të partisë në pushtet deklaruan se faji për ngecjet në dialog është i Serbisë.

“Sfidat kryesore në procesin e normalizimit është mungesa e vullnetit nga ana e Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes. Siç po e shihni edhe nga diskutimet dhe deklarimet që i bën Vuçiqi, i ka dy linja të argumentit. E para thotë se nuk e nënshkruaj dhe e dyta se do të zbatojë vetëm copëza të marrëveshjes. Është jashtë parimeve të marrëveshjeve dhe dakordimit që kemi arritur në Bruksel. Kosova është e gatshme për normalizim dhe është e gatshme të kontribuojë në emër të paqes dhe integrimit evropian”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

Referuar dinamikës aktuale të Kuvendit, opozita vlerëson se nuk ka kohë që asociacioni të diskutohet në institucionin ligjvënës. Në mbledhjen e kryesisë të hënën u vendos që të enjten të mbahen dy seanca, ku në rend dite është votimi i disa projektligjeve, si dhe debati për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën. Ndërkaq të premten është seanca vetëm me pyetjet parlamentare të deputetëve.