LAJMET E MBRËMJES

Radoiçiqi pranon se e organizoi sulmin terrorist në Banjskë

Nëpërmjet një letre lexuar nga avokati i tij, Millan Radoiçiqi pranoi se ka marrë pjesë në sulmin terrorist kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Në këtë letër, ai theksoi se i bëri vetë të gjitha përgatitjet logjistike dhe se nuk mori ndihmë nga autoritete në Beograd e as nga ato lokale në veri të Kosovës. E njoftoi edhe dorëheqjen nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, të cilën para tij e publikoi në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

Milan Radoiçiqi ka pranuar të premten se ka marrë pjesë dhe se ka qenë organizatori i sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Zveçanit. Nëpërmjet një letre të hapur, të lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviq, Radoiçiqi ka theksuar se vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka qenë aksidentale. Në këtë letër, ai ka shkruar se është vetë përgjegjës për të gjitha përgatitjet logjistike të grupit.

“I informoj të gjithë përndjekësit kujdestarë të popullit serb, nisur nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë ndërkombëtarë, se i kam kryer personalisht të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë nga okupatorët dhe ky akt imi nuk ka pasur kurrfarë karakteri e as qëllimi tjetër, dhe nuk ka kurrfarë lidhje me angazhimin tim më të hershëm politik”, ka deklaruar avokati gjatë leximit të letrës.

Radoiçiqi, i cili prej vjetësh është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara e edhe të Britanisë së Madhe, ka theksuar në letër se aktivitetin në Banjskë e ndërmori për t’i trimëruar serbët e veriut që të mos i nënshtrohen, siç e ka thënë, regjimit të Kurtit. Ai ka kërkuar që njerëzit e grupit përgjegjës për sulmin të mos quhen terroristë, e për ta tha se janë luftëtarë për lirinë e popullit serb.

“E informoj publikun e gjerë se së bashku me bashkëkombësit e mi nga veriu i Kosovës, më 24 shtator të 2023-s, kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte që ta trimërojmë popullin serb nga ky rajon, në ofrimin e rezistencës ndaj terrorit të regjimit të Kurtit, në mbrojtjen e popullit tonë që këtij terrori i është nënshtruar për çdo ditë dhe në krijimin e kushteve për përmbushjen e ëndrrës së çlirimit të popullit tim në veri të Kosovës”, thuhet në këtë shkresë të Radojqiqit që e lexoi Petronijeviq.

Me anë të letrës së lexuar nga avokati i tij gjatë një adresimi për media në Beograd, Radoiçiqi e kumtoi dorëheqjen e tij nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe. E para kësaj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, theksoi se këtë veprim ai po e ndërmerr për të mos e dëmtuar më tej këtë parti, që është më e madhja e serbëve të Kosovës.

“Me këtë rast, e njoftoj publikun se jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe. Jam i gatshëm që në lidhje me këto ngjarje t’u përgjigjem thirrjeve të organeve kompetente të Republikës së Serbisë. Rroftë Serbia”, ka shkruar Radojçiqi.

Në letër, Radoiçiqi është përpjekur t’i shfajësojë autoritetet e Serbisë për përfshirje në ndihmën dhe organizimin e grupit përgjegjës për sulmin në banjskë. Sipas tij, për sulmin e kryer nuk kanë qenë në dijeni as strukturat qendrore në Serbi dhe as ato lokale në veri të Kosovës, të cilave ka theksuar se as nuk u ka kërkuar ndihmë.

Përfshirja e Radoiçiqit në sulmin ndaj Policisë është faktuar nga disa videoincizime, të cilat i ka publikuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.