Pa tensione e pa incidente është mbyllur në Zubin-Potok dita e pestë e protestës së serbëve. Kryetari Izmir Zeqiri, të cilin serbët po e kundërshtojnë, as këtë të enjte nuk shkoi në zyrën e tij në Komunë. Ai po e ushtron detyrën nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër, meqë thotë se u është bindur rekomandimeve të SHBA-së.
Nën tingujt e këngëve nacionaliste, ku thuhej “Kosova është Serbi”, fëmijë loznin e festonin në Ditën ndërkombëtare të tyre, në Zubin-Potok.
E prapa tyre, serbët vazhduan me protesta për të pestën ditë, duke kërkuar largimin e njësive speciale të Policisë nga objekti i Komunës në Zubin Potok.
Pa shkaktuar tensione, serbët qëndruan para objektit të Komunës edhe të enjten që nga ora 8. Rrinin nën tenda të vendosura aty pranë e pinin kafe.
Vetëm shpërthimi i një mjeti piroteknik u dëgjua në këtë zonë, për tetë orë sa zgjati protesta.
Kryetari Izmir Zeqiri, të cilin serbët po e kundërshtojnë, as këtë të enjte nuk shkoi në zyrën e tij në komunë. Zeqiri po e ushtron detyrën nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër, meqë thotë se u është bindur rekomandimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për të kundërshtuar zgjedhjen e tij, në mesin e protestuesve erdhën edhe edukatorët e institucioneve parashkollore, të cilat u fotografuan para objektit të komunës ku valëvitet flamuri i Kosovës.
E gjithë situatën e vëzhgonin pjesëtarë të KFOR-it, ku nganjëherë komunikonin edhe me protestuesit.
Në gjendje gatishmërie ishte edhe njësiti FIT i Policisë. E vëzhgim të situatës pati edhe nga qielli. Një helikopter i KFOR-it u pa katër herë duke qarkulluar në këtë zonë.