Gazetari Enis Rrustemi e kameramani Altin Zejnaj nga Periskopi janë sulmuar të hënën në Zveçan.
Ndonëse shenjat ishin të dukshme, në bluzën e shqyer të Rrustemit, rasti nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është raportuar si tentim-sulm, meqë ekipi nuk pësoi lëndime.
AGK-ja ka shprehur shqetësim dhe u ka bërë thirrje trupave të KFOR-it dhe EULEX-it të mundësojnë sigurinë e gazetarëve për ta kryer punën e tyre.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me situatën e krijuar për mediat dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga këto komuna, andaj kërkon nga kolegët që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit. Njëherësh, AGK-ja rekomandon që kolegët t’i dëgjojnë rekomandimet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, që janë prezentë atje. AGK-ja, gjithashtu kërkon nga NATO-ja dhe EULEX-i që të sigurojnë gazetarët, si dhe t’u mundësojnë të raportojnë pa u penguar”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Veturën e TËVË1 protestuesit në Zubin-Potok e kanë djegur tërësisht.
Valmir Gallapeni, që e ka udhëhequr ekipin, ka thënë se gjatë raportimit në veri ka pasur pengesa të ndryshme nga protestuesit dhe se rreziqet kanë qenë evidente gjatë raportimeve për tensionet në veri.
“Fillimisht ishim te komuna, diku 500 metra, e kemi pasur veturën e parkuar te rruga magjistrale larg nga komuna ku mbahej protesta. Ishim në protestë kur (policët v.j) na njoftuan se na e kanë sulmuar veturën. Shkuam me kameramanin e pamë se ia kishin thyer të gjithë xhamat dhe se ia kishin shpuar të katër gomat. Aktualisht po kthehemi me një ekip tjetër që ka ardhur nga televizioni. Qytetarët serbë edhe gjatë kohës sa kemi qenë në protestë në vazhdimësi kanë provokuar, në vazhdimësi kanë bërtitur në drejtim të gazetarëve”, ka theksuar gazetari Gallopeni.
Ekipi nga mediumi A2 nga Shqipëria nën kërcënim të protestuesve është detyruar t’i fshijë pamjet e kamerës që i kanë marrë gjatë ditës.
AGK-ja ka raportuar edhe për dëme në vetura e mjete të tjera të punës së gazetarëve, ku një ekipi të gazetarëve protestuesit ia kanë hedhur përtokë kamerën: duke thënë çfarë është kjo dhe pse po xhiron.
Veturat e mediumeve Kallxo.com, Dukagjini, Top Channel janë dëmtuar e përdhosur me shkrime nacionaliste serbe me sprej, si katër s-të cirilike me kryq në mes, që e ka kuptimin “Vetëm bashkimi shpëton serbët”.
Edhe ekipi i KOHËS është penguar në një raportim të drejtpërdrejtë, ku gjatë raportimit të gazetares Valbona Bytyqi, një protestues i ka vendosur tre gishta para kamerës.
Protestuesit thyen xhamat e një veture të redaksisë javën e kaluar. Sulmet i ka dënuar edhe platforma për sigurinë e gazetarëve Safe Journalists, si dhe shefi i zyrës së BE-së për Kosovë, Tomas Szounyog.
Szunyog në një reagim në rrjetet sociale ka thënë se “gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.