Në Jasenovik u vendos kontejneri i fundit nga të gjithë që shërbyen si qendra alternative votimi në veri dhe i fundit u pajis edhe me material zgjedhor në ditën e zgjedhjeve.
Si për të gjitha qendrat e votimit të të katër komunave të veriut, edhe për këtë që u vendos në fshatin e thellë të Zubin-Potokut, materiali dhe ekipet e zyrtarëve zgjedhorë u nisën nga Mitrovica e Jugut.
Është ora 5 e gjysmë e mëngjesit dhe Terminali Doganor i Trepçës është kthyer në pikëtakim për njerëzit që janë ngarkuar me detyra për t’i funksionalizuar qendrat e votimit dhe për të garantuar siguri.
Shihen anëtarë të këshillave komunale zgjedhore e edhe zyrtarët policorë. Por vendndodhja e materialit zgjedhor mbahet fshehtë.
Burimet thanë se, ndryshe nga herët e tjera, operacion i veçantë për materialin u aplikua këtë herë, me qëllimin për të shmangur pengesat gjatë transportit në veriun që kryesisht banohet nga serbët që janë kundër zgjedhjeve.
Ekipet e para u nisëm për në Leposaviq, komuna më e largët nga Mitrovica e Jugut ku ndodhet termiali.
E, më pas, rreth 15 automjete të Policisë së Kosovës i shoqëruan zyrtarët zgjedhorë dhe një kamion me material zgjedhor, që u paraqit në terminal pak kohë para nisjes për në Zubin-Potok.
Kur eskorta mbërriti në territorin e komunës, në segmente të ndryshme të rrugës ekipet e secilës qendër të votimit vazhduan veç e veç.
Kamioni fillimisht i dërgoi materialet tek qendrat më të afërta e në fund mbërriti në Jasenovik, rreth 1 orë e 20 minuta pasi zyrtarisht duhej të hapej qendra e votimit.
Kjo, pasi nisja u bë vonë për të mbërritur në shtatë të mëngjesit dhe pasi vetëm një kamion ishte ai që bartte materialin, për të katër qendrat e votimit të kësaj komune.
Zyrtarë zgjedhorë thanë se transportimi me një kamion u bë për arsye sigurie.
Edhe kthimi i zyrtarëve zgjedhorë dhe i materialit do të bëhet në të njëjtin itinerar dhe pikëtakim për të katër komunat veriore sërish do të jetë Terminali Doganor i Trepçës, në Mitrovicën Jugore.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.