LAJMET E MBRËMJES

Specializantët kërkojnë pagesa për kujdestaritë e fundjavave sipas rregullores së Qeverisë

Të hënën në oborrin e QKUK-së është protestuar nga specializantët. Ata pretendojnë se për kujdestaritë gjatë vikendeve po paguhen njëjtë sikur gjatë ditëve të tjera. Specializantët kërkojnë që të paguhen bazuar në Rregulloren e fundit të Qeverisë, ndërkohë QKUK-ja ka njoftuar se pagesat bëhen bazuar në një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë të vitit të shkuar.

Specializantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë protestuar të hënën në oborrin e këtij institucioni shëndetësor, me pretendimin se po u shkelen të drejtat, duke mos u paguar sipas Rregullores së fundit të Qeverisë, të datës 3 shkurt 2023.

Sipas Rregullores së Qeverisë, specializantët për kujdestari gjatë ditëve të javës paguhen 50 euro, kurse për vikende deri në 160 euro. E mjekët specialistë për kujdestari gjatë vikendeve paguhen deri në 280 euro.

Kryetari i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi, thotë se ata ende po paguhen bazuar në një vendim të shfuqizuar.

“Kujdestaritë tona tash e tutje do të paguhen me vendimin e 9 marsit 2022, vendim i cili ka rënë poshtë prej 3 shkurtit të vitit 2023”, ka theksuar Zajmi.

Drejtoria e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në një përgjigje për KOHËN ka thënë se pagesa për kujdestari bëhet konform vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, të datës 9 mars 2022.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ju njofton se mbajtja e minimalisht dy kujdestarive në muaj për qëllim edukativ në lëmenjtë klinikë (konform planprogramit) është obligative për çdo specializant…Pagesa e tyre për të gjitha kategoritë e specializantëve (pa përjashtim) bëhet konform vendimit në fuqi të ministrit të Shëndetësisë me nr. 05-1112 i datës 9.3.2022”, thuhet në përgjigje.
Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, që sipas specializantëve është shfuqizuar tashmë, kujdestaria për ta nuk ndryshon nga ditët e javës – paguhen 50 euro.

E, Rregullorja e nxjerrë nga Qeveria më 3 shkurt të këtij viti, neni 12, thotë se me hyrjen në fuqi të saj shfuqizohet çdo akt nënligjor dhe dispozitë që bie në kundërshtim me të.

Anëtari i Kryesisë së Këshillit të Specializantëve të QKUK-së, Leonard Peci, thotë se kjo që po bën QKUK-ja bie ndesh me Rregulloren.

“Ata po na e penalizojnë shkollimin tonë specialistik në formë të shantazheve, nëse ne nuk dalim më shumë se 2 kujdestari, që është antiligjore, dhe nëse dalim me pagesë 50 euro ditëve të vikendit përkundër që Ligji i Punës e thotë ndryshe”, është shprehur Peci.

Specializantët e QKUK-së kanë protestuar edhe më parë për këtë çështje.