LAJMET E MBRËMJES

Një 4-vjeçar goditet me shuplakë nga një edukatore, në një kopsht privat në Mitrovicë

Një edukatore në një çerdhe private në Mitrovicë ka goditur me shuplakë një fëmijë. Në çerdhe thanë se videot e dëshmojnë momentin e dhunës. Ndërkaq, prindërit e 4-vjeçarit që ende nuk flet, thanë të kenë parë shenja dhune tek ai edhe më herët.

Këto janë shenjat e dhunës ndaj një 4-vjeçari që, sipas nënës së tij, i janë shkaktuar të hënën në mesditë gjatë qëndrimit në çerdhen private “Nina” në Mitrovicë.

Ajo thotë se është lajmëruar nga drejtoresha e çerdhes dhe se i janë treguar video-incizimet në të cilat shihet edukatorja tek e godet me shuplakë fëmijën, për të cilin tha se nuk flet akoma.

“Në atë video e kam parë që mësuesja e grupit në këtë rast, se ajo mësuese me përpara ka qenë mësuese mbështetëse e djalit tim. Mirëpo dy javët e fundit ka kalu në mësuese të grupit. Gjatë kohës kur djali ka dashtë me flejt, djali nuk kish dashtë me flejtë, kështu që mësuesja e ka goditë edhe shenjat i ka pasur në fytyrë”, ka thënë Vlora Musliu-Ibishi, nëna i fëmijës.

Nëna e fëmijës thotë se shenja dhune ka parë edhe më herët.

“Ja kapsha flokët edhe mu mbushke grushti kime. Tash s’po di a fëmijët e tjerë e kanë lëndu apo ndoshta mësuesja. Dhe një herë i ka pasur veshët e kuq”, ka thënë ajo.

E Agnesa Shipoli-Nika, drejtoreshë e kopshtit, pranoi që të hënën fëmija është goditur me shuplakë nga edukatorja, për të cilën tha se me vendim të kopshtit është larguar nga puna.

“E kam thirrë edukatoren, i kom kërku informacione lidhur me rastin që ka ndodhur, e ka pohu menjëherë dhe ka thënë që është rast në afekt”, ka thënë drejtoresha e çerdhes Agnesa Shipoli-Nika.

Sipas drejtoreshës, në gjendje të keqe emocionale ka qenë edukatorja, me të cilën KOHA nuk ka arritur të kontaktojë.

Prindërit e 4-vjeçarit thonë se ajo i ka telefonuar dhe ju ka kërkuar falje për këtë veprim.

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë treguan se janë duke u zhvilluar hetime për këtë rast.

“Është njoftuar prokurori kujdestar dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës’. Prokurori i shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke zhvilluar hetime intensive në mënyrë që ky rast të zbardhet në plotni”, ka thënë zëdhënësi në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Pas këtij rasti dhune, prindërit e 4-vjeçarit kanë vendosur ta tërheqin nga kopshti atë, bashkë me fëmijën tjetër.

Edhe prindër të fëmijëve të tjerë u është lëkundur besimi në çerdhen.

“Jam e dyshimtë mos me i pru ndoshta se unë nuk jam këtu, jam në shpi tu nejt, mundem mos me sjellë hiç edhe mos me shpenzu 95 euro e paguajmë mujoren. Edhe me shpenzu, edhe me ta rreh fëmijën, ky është shumë gjest i ulë”, ka thënë Mihane Kuçani, prind.

Në Kosovë janë të licencuara 205 çerdhe private. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se dhuna është e patolerueshem dhe e dënueshme, por nuk ka përmendur ndonjë masë ndaj kopshtit.