LAJMET E MBRËMJES

Policia shtiu me armë në drejtim të një veture në Bistricë, thotë se u sulmua

Në paraditen e së hënës pati shkrepje të armëve në Bistricë të Leposaviqit.

Sipas njoftimit të Policisë, vetura me pasagjerë serbë gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policorë.

Në njoftim, po ashtu, thuhet se të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur i brengosur për incidentin.

“Të brengosur thellë për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me veturë tentuan t’i shmangen postbllokut policor. Ata kanë goditur me dashje veturën e Policisë së Kosovës dhe kanë vënë në rrezik jetën e policëve. Policët e PK-së janë detyruar të qëllojnë në drejtim të automjetit për të neutralizuar situatën”, ka shkruar Sveçla në Twitter.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, incidentin e ka quajtur sulm të policisë ndaj serbëve.

“Deleviq është goditur në pjesën e kraharorit të majtë dhe ka një plagë me armë zjarri me të cilën është transportuar urgjentisht në Spitalin e Kralevës. Bashkëdrejtuesi i tij, Dushan S., fatmirësisht nuk ka mbetur i lënduar, ndërsa e gjithë vetura ka qenë e qëlluar”, ka shkruar Petkoviq.

Sipas mediave serbe, personi që pretendohet se është plagosur është dërguar për trajtim në Kralevë.

“Lëndimi trupor është i rëndë, por pacienti nuk është në rrezik për jetën. Shpresojmë se do të shërohet së shpejti”, tha Zoran Mërviq, drejtor i Spitalit të Kralevës.

Për rastin e ndodhur në Leposaviq ka reaguar edhe Lista Serbe. Kjo parti ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka qëlluar me qëllimin për t’i vrarë personat që ishin brenda veturës.