LAJMET E MBRËMJES

EULEX-u fton serbët të kthehen në institucionet e Kosovës

Situata në veri të Kosovës, pas largimit të barrikadave, ka qenë temë diskutimi në takimin e mbajtur në ditën e fundit të vitit midis kryeministrit, Albin Kurti, dhe komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia. Largimin e barrikadave në veri e ka përshëndetur të shtunën EULEX-i, teksa u ka adresuar thirrje serbëve që të kthehen në institucione e Kosovës

Sundimi i ligjit dhe siguria në veri nuk mund të ofrohen plotësisht vetëm nga EULEX-i, ka vlerësuar të shtunën misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, në kërkesën drejtuar serbëve për kthim në institucionet e Kosovës.

Në këtë mision e kanë mirëpritur uljen e tensioneve dhe kthimin e lirisë së lëvizjes në veriun e Kosovës, pas largimit të barrikadave që për 20 ditë i mbajtën të bllokuara rrugët drejt pikave kryesore kufitare midis Kosovës e Serbisë.

Nëpërmjet një komunikate, në EULEX e kanë kualifikuar si esencial respektimin e marrëveshjeve të dialogut, që e rregullojnë integrimin e serbëve në organet e rendit dhe të drejtësisë.

“Vakumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit, i krijuar pas dorëheqjeve të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës, vazhdon. EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht, përmes pranisë së shtuar në terren, por Misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Situata në veri dhe heqja e barrikadave ishin temë diskutimi edhe në takimin që komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, pati të shtunën me kryeministrin, Albin Kurti, zëvendësin e tij, Besnik Bislimi e me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes dhe sigurisë, ishin në qendër të këtij takimi. Në veçanti u trajtua largimi i suksesshëm i të 16 barrikadave të cilat po shkelnin rendin e ligjin dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët në katër komunat në veri të Ibrit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

E për serbët e Kosovës dhe për mënyrën e trajtimit të tyre nga autoritetet e Kosovës, vërejtje shprehu kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo e akuzoi kryeministrin e Kosovës për shkeljen e të drejtave të serbëve, duke u thirrur në disa vendime që Qeveria i ka marrë gjatë vitit, përfshirë edhe atë për ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.