LAJMET E MBRËMJES

Protestë kundër dënimit të Salih Mustafës, akuza për ndjekjen e UÇK-së

Pëlqeje KTV Video për të parë video të përzgjedhura nga KOHA
 

Në protestën e thirrur nga Partia Socialdemokrate, qytetarët janë tubuar në sheshin kryesor të Prishtinës për të kundërshtuar dënimin me 26 vjet burgim, që Gjykata Speciale ditë më parë ia ka shqiptuar komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa. Janë drejtuar edhe akuza ndaj Gjykatës Speciale se po gjykon luftën e UÇK-së për liri. Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka qenë njëra prej kërkesave

Me parullën, “Jo në emrin tim”, protestuesit ia kanë mësyrë sheshit të Prishtinës për ta kundërshtuar dënimin me 26 vjet burgim të komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale. Në protestën e thirrur nga PSD-ja morën pjesë edhe organizatat e dala nga lufta e disa deputetë të PDK-së. Në mesin e tyre edhe familjarë të Mustafës i njohur në luftë me nofkën Cali. Protestuesit në duar kanë mbajtur parullat me emrat e të gjithë të akuzuarve për krime lufte që po mbahen në paraburgim në Hagë. Marshit i priu në mes të tjerëve edhe djali i Calit. Protestuesit që thërrisnin “liri për çlirimtarët” kanë ecur nga sheshi që mbanë emrin e komandantit Zahir Pajaziti deri tek ai me emrin e presidentit Ibrahim Rugova.

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë me këtë protestë po kërkohet edhe që të ndryshohet juridiksioni i Gjykatës, në nenet 6 dhe 16 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.