LAJMET E MBRËMJES

Dyfish u subvencionohet rryma atyre që kursyen

Rreth 170 mijë qytetarë janë subvencionuar dyfish për energjinë elektrike që e kanë kursyer gjatë muajit shtator. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se subvencionimi i përfshirë si masë për përballje me inflacionin tashmë është procesuar të premten në llogaritë e të gjithë atyre që kanë kursyer

Fatura e afro 170 mijë qytetarëve që kanë kursyer rrymë në muajin shtator është subvencionuar dyfish nga Qeveria. Ministri i Financave, Hekuran Murati, nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se pagesa e subvencionit për faturën e muajit shtator të energjisë elektrike është reflektuar të premten në llogaritë e konsumatorëve. Kjo është bërë duke u bazuar në pakon e Qeverisë për përballje me inflacionin, përmes së cilës ishte paraparë që personat që arrijnë të shpenzojnë më pak energji elektrike krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar do të subvencionohen në faturë me dyfishin e asaj që e kursejnë. Për të përfituar nga kjo masë, konsumatorët nuk kanë nevojë që të aplikojnë meqenëse sistemi ua llogarit subvencionimin automatikisht.

“Për muajin shtator, kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike”, ka thënë ministri Murati në njoftim.

Kësisoj, nëse një qytetar në muajin shtator të vitit 2021 ka shpenzuar 50 euro energji elektrike dhe sivjet ka harxhuar 40 euro, ai ka kursyer 20 për qind të energjisë. Me masën e Qeverisë atij do t’i subvencionohet fatura për 40 për qind të shpenzimit. Kështu, faturën prej 40 eurosh të muajit shtator, një konsumator i energjisë elektrike do ta paguajë 24 euro, pra 16 euro më pak. Ministri ka njoftuar se subvencionimi do të llogaritet dhe të aplikohet në vlerën e faturës së muajit aktual. Ky subvencionim do të vazhdojë për të gjithë ata që arrijë të kursejnë së paku 5% të energjisë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Maksimumi i subvencionit do të jetë 50 euro.

“Secili konsumator aktiv (fatura mbi 5 euro), që ka kursyer sasinë e kWh me së paku 5% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, përfiton subvencionim të faturës aq sa dyfishi i përqindjes së kursimit. Maksimumi i subvencionit për një muaj është vlera e faturës së muajit përkatës, apo tavani 50 euro, cilado të jetë më e ulët”, ka theksuar Murati.

Kjo masë, implementimi i së cilës ka nisur të premten, është prezantuar nga Qeveria më shumë se tre muaj më parë.