LAJMET E MBRËMJES

Bislimi e quan shqetësues shpopullimin e Preshevës, merr kritika për mospërkushtim

Te nxënësit, por jo edhe te të gjithë përfaqësuesit politikë në Preshevë kanë qëndruar për vizitë të hënën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Teksa kanë promovuar mbërritjen e librave në Preshevë, që shpesh janë penguar nga Serbia, ata kanë theksuar se shkollat janë dëshmia e shpopullimit të shpejtë të kësaj pjese. E këtë Bislimi e ka kualifikuar politikë të Serbisë.

“Po aq sa jemi të gëzuar që kemi pasur mundësinë të mbulonim këtë kosto, po aq jemi të shqetësuar që kemi ndarë libra për vetëm 4 mijë e 10 nxënës, duke ditur që para pak vjetëve në shkollat fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës kanë vijuar mësimin mbi 13 mijë nxënës shqiptarë. Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia ka arritur që me politikat e saj ta shpopullojë këtë regjion”, tha Bislimi

E intensifikimin e bashkëpunimit në arsim dhe rëndësinë e reciprocitetit e kanë përmendur ministrja Nagavci e kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

“Është kënaqësi të shohim nga afër punën e mirë që bëhet në shkolla, ta shohim entuziazmin dhe gëzimin e fëmijëve dhe presim që të kemi bashkëpunime në fushën e arsimit dhe jo vetëm, edhe në të ardhmen”, tha Nagavci.

“Do të përfitojnë diku 4010 nxënës të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Prindërit e tyre, mbi 4.000 familje do të lirohen nga barra e rëndë socioekonomike e sigurimit të tekseve mësimore. Unë besoj që ky është ndër projektet e mëdha që po implementojmë në Luginë të Preshëvës. Besojmë që përmes reciprocitetit arrihet barazia e përmes barazisë vendosen standardet unike të trajtimit të pakicave kombëtare”, tha Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

E politikani dhe deputeti  i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka përsëritur kërkesat e Luginës që të drejtat e shqiptarëve të avancohen nëpërmjet marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë.

“Çështja e të drejtave të Luginës duhet të jetë prezente, besojmë dhe shpresojmë që Qeveria e Kosovës marrëveshjen finale që duhet të arrihet me Serbinë, çështjen e shqiptarëve të Luginës ta ketë pjesë”, tha Kamberi.

Gjatë vizitës zyrtare në Luginë, Bislimi dhe Nagvaci janë pritur nga kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, porse jo edhe nga kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, pasi që ai nuk e ka pranuar pritjen e tyre shkaku i anashkalimit që Qeveria në Kosovë ia ka bërë Komunës që ai drejton.

“Nuk do të takohem me ta për shkak se e kanë injoruar Komunën e Preshevës dhe çdo shqiptar në Luginë. Arsyeja tjetër është që këto janë politikat e Lëvizjes Vetëvendosje, sepse unë nuk u nënshtrohem atyre dhe kritikat, të cilat i jep në kuadër të politikave të saj në dialog, i shoh të mangëta në koncept dhe në përfshirje të shqiptarëve në zgjidhje. Një tjetër arsye është që ende nuk i kanë dërguar dy milionë eurot e premtuara për Luginën”, ka thënë kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Kritika rreth vizitës ka adresuar edhe deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj. Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook ka përmendur mungesën e kryeministrit Albin Kurti në vizitë, si dhe mosndarjen e 2 milionë eurove për Preshevën.

“Duket që Kurti i është kthyer zanatit të vjetër, duke harruar që është kryeministër. Ai tash po i nxjerr mbështetësit e paktë që i kanë mbetur për të ‘protestuar’. Kryeministër, sille në Kuvend Ligjin e Pagave dhe jepu të drejtat që u takojnë mësimdhënësve. Kryeministër, ku janë dy milionët e premtuar për Preshevën?! Apo ndoshta zyrtarët tuaj sot në Preshevë shkuan sa për fotografi”, ka shkruar Kadrijaj.

Kurti, gjatë një konference për media dy ditë më parë, ka theksuar se vizitën në Preshevë do të realizojë një ditë.