Pas reduktimeve 6 orë me rrymë dhe 2 pa të që filluan mëngjesin e së hënës, në mesditë është kthyer furnizimi i rregullt me energji.
Ndërprerjet u evituan pas bashkëpunimit mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjetike të Shqipërisë (KESH).
Ministria e Ekonomisë, e cila paraprakisht fajësonte qytetarët për vjedhje dhe paralajmëronte masa për ta, në mesditë njoftoi për kthimin e furnizimit të rregullt, duke iu bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve për kursim.
“Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi”, tha ME-ja.
Qytetarët paraditen e së hënës janë përballur me reduktime të energjisë.
Shkak ishte konsumi më i madh sesa energjia e siguruar, gjë e cila muajve të fundit ka shkaktuar devijime në sistemin interkonektiv të Evropës Kontinentale, për çka Kosova ka marrë vërejtje nga ENTSO-E.
“ENTSO-E i ka tërhequr vërejtjen KOSTT/Kosovës si Zonë Rregulluese, për ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian. Në përputhje me përgjegjësitë ligjore, KOSTT-i është i obliguar që të ndërmarrë të gjitha veprimet për ta balancuar sistemin në varësi nga konsumi, gjenerimi dhe importi i siguruar nga palët përgjegjëse brenda Zonës Rregulluese të Kosovës për të mos cenuar sigurinë e operimit paralel me rrjetin interkonektiv evropian”, tha KOSTT.
KOSTT-i ka bërë të ditur se konsumi i energjisë elektrike në periudhën korrik-gusht sillet nga 337 MW deri në pikun e ngarkesës prej 792 MW, ndërsa gjenerimi i përgjithshëm i energjisë elektrike në vend aktualisht është rreth 540 MW.
KEDS-i dhe KESCO kanë njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë rrymë jashtë asaj që prodhohen në vend.
“Situata është shkaktuar nga çmimet enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimi i kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”
Këto dy kompani kanë përmendur mosndarjen e subvencioneve nga Qeveria në vlerë prej 100 milionë eurosh siç ishte zotuar, duke thënë se kjo ka rënduar gjendjen më tepër.
Lidhur me këtë, ZRRE-ja ka hapur procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave, ku KESCO ka kërkuar dyfishim të çmimit të energjisë. Brenda kësaj jave edhe pritet të vendoset nëse do të ketë rritje të çmimit të rrymës.