LAJMET E MBRËMJES

Hiqen barrikadat, rrugët drejt Jarinjës e Bërnjakut të hapura për qarkullim

Pas më shumë se 19 orësh, rruga që çon për në pikën kufitare në Bërnjak është liruar për qarkullim. Heqja e bllokadave të vendosura nga serbët ishte kushti i vënë nga Qeveria e Kosovës për të shtyrë hyrjen në fuqi të dy vendimeve të marra në qershor, atë për vendosjen e reciprocitetit për letërnjoftim e caktimit të afatit dy mujor për ndërrimin e targave ilegale.

Ndonëse bllokada e parë u largua, arritja në pikën kufitare në Bërnjak nuk ishte e mundur.

E gjithë kjo si rezultat i dy mjeteve të rënda që bllokuan kalimin në urën pranë pikëkalimit kufitar në Bërnjak.

Për disa orë, qytetarët që ia mësynë kësaj pike u detyruan të presin.

Largimi i njërit prej kamionëve, ndonëse me vështirësi bëri të mundur kalimin e veturave, por në rrugë mbeti edhe një pengesë.

Shkaku i problemeve teknike, largimi i bagerit nuk ishte i mundur.

Gjatë gjithë kohës, pranë pengesave të vendosura ishin të pranishëm pjesëtarë të KFOR-it.

Telashe me prishje të kamionëve që shërbyen si barrikadë kishte edhe në Rudarë, rrugës për në pikën kufitare në Jarinjë.

Shkaku i bllokadave të vendosura nga serbët të dielën mbrëma, dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinja dhe Bërnjaku, nuk ishin të hapura për qarkullim.

Për dallim nga to, lëvizja në pikëkalimet e tjera u zhvillua pa ndonjë telash, derisa në bazë të vendimit për reciprocitet me dokumente identifikuese, shtetasit serbë u pajisën me fletëdeklarim për hyrje dalje.

Ministri i Punëve të Brendshme ka njoftuar se 1501 dokumente hyrje-dalje janë lëshuar në pikë kalimet kufitare të Kosovës.

Lëshimi i mëtejme i tyre është ndalur pas zhbllokimit të rrugëve në veri.