LAJMET E MBRËMJES

Reciprocitet për letërnjoftim, edhe një mundësi për regjistrimin e automjeteve në RKS

Reciprocitet në përdorimin e dokumenteve të identifikimit të Serbisë ka vënë të mërkurën Qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen elektronike të ekzekutivit është vendosur që qytetarët me dokumente të Serbisë do të pajisen me një fletë-deklarim, njëjtë siç bëjnë autoritetet serbe për qytetarët e Kosovës, të cilët hyjnë në Serbi.

“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal, të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Qeveria po ashtu u ka dhënë edhe një mundësi pronarëve të automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.

Ata, sipas vendimit, mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS nga 1 korriku deri në fund të muajit shtator.

“Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022”, thuhet tutje në vendim.

Në fuqi, deri në fund të tetorit, do të vazhdojë të jetë vendosja e letrave ngjitëse në targat me regjistrim të Serbisë.

“Automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë, që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri më 31.10.2022”.

Ky vendim vjen dy muaj pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Bashkimi Evropian për arritjen e një marrëveshjeje për targat. Kjo marrëveshje, e cila shtensionoi situatën e krijuar në veri vitin e kaluar, nuk u arrit përkundër diskutimeve mes grupeve punuese për gjashtë muaj me radhë.