Përballë njëri-tjetrit ishin edhe këtë të mërkurë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.
Që të dy pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror, që është duke u mbajtur në Davos.
Për shkak se paneli ishte i mbyllur, detajet që u shpalosën pas tij ishin të pakta.
Qëndrimet e shpalosura mes pjesëmarrësve kishin dallime të mëdha. E njëlloj edhe fotografitë.
Në asnjërën prej fotografive të ndara nga presidenti i Serbisë nuk shfaqet kryeministri Kurti, ndonëse ndodheshin përballë njëri-tjetrit.
Edhe
Pritshmëri të vogla në Kosovë nga takimi Kurti-Vuçiq
Ndonëse i rezervuar në shpalosjen e qëndrimeve, Vuçiqi theksoi se iu ka kërkuar përfaqësuesve që të mos përsërisin porositë e tyre për Kosovën e Rusinë.
“Serbia është në shtegun evropian. Ky është shtegu i vetëm që Serbia ka. Jemi falënderues për të gjitha donacionet, për gjithë përkrahjen, është e madhe, është madhore, dhe ne dimë që ta çmojmë këtë. Por mosni që përditë, në vend të asaj se çfarë keni bërë për ne dhe çfarë po bëjmë bashkërisht, të dëgjojmë porosi, si pranojeni Kosovën e pavarur dhe vendosini sanksione Rusisë`. E po ngadalë njerëz. Ngadalë, e kemi ne shtetin tonë. Ngadalë, i kemi edhe interesat tona”, tha Vuçiq.
Se çfarë ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në diskutim, nuk treguan nga zyra e tij.
Krahas fotografive e detajeve të pjesëmarrësve, për diskutimin në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit nuk u dhanë detaje.
Edhe
Kroacia ofron mbështetje për anëtarësim në KiE, Vuçiqi i ankohet Lajçakut për politikat e Kurtit
“Ky sesion që ofroi mundësi për dialog me shumë palë mbi Ballkanin Perëndimor ka për synim të ndihmojë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrë së Kryeministrit.
Forumi Ekonomik Botëror ka nisur të dielën e do të përmbyllet të enjten.