Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Zombieland: Double Tap” dhe rregullat e mbijetesës

Ekziston një cilësi e përsëritshme – po jo domosdo e tepruar – në “Zombieland: Double Tap”, vazhdimi i dhunshëm, argëtues dhe i këndshëm i komedisë kult me zombie të 2009-s që flet për katërshen e shpëtimtarëve të njerëzimit që mundohet ta krijojë ndjesinë e familjes tek udhëton përgjatë një Amerike të vërshuar prej të pavdekshmëve.

Vetë titulli plotësues, i cili në vend të nënkuptimit të “numrit dy”, i referohet konceptit të shtjelluar në filmin origjinal.

“Double Tap” është një prej dhjetëra “rregullave” të mbijetesës, imponuar nga narratori obsesiv e maniak (Jesse Eisenberg), dhe aludon në teknikën e shtënies drejt dikujt – në këtë rast, një zombie – jo vetëm një herë, por dy herë, sa për t’u siguruar se caku është neutralizuar një herë e përgjithmonë, shkruan “Washington Post”, transmeton “Koha Ditore”.

Kjo taktikë funksionin goxha mirë edhe në filmin e ri, i cili i përsërit shumicën e atyre që ishin goxha efikase në “Zombielandin” e parë: ndjenjën e njëfarë dhune të tepërt karikatureske, të cilën filmi e konsumon lehtësisht – sikur pa konsekuencë, si në një videolojë në të cilën i pari që shtie shpëton – ama ngjyrosur me njëfarë ëmbëlsie të befasishme që maskohet nën lustrën pothuajse konstante dhe rrëmbyese të zgjuarsisë.

“Ju çuna jeni të gjithë shumë sarkastikë”, thotë karakteri i ri, Madison (Zoey Deutch), me një dozë enorme nënvlerësimi, kur takohet me katër protagonistët pa qime në gjuhë, të cilët, njëjtë sikurse ajo, kanë nofka që asociojnë me vendlindjet e tyre: Columbusi (Eisenbergu), Tallahassee (Woody Harrelson), Wichita (Emma Stone) dhe Little Rock (Abigail Breslin).

Shakatë e tyre të holla, të cilat e maskojnë dashurinë e përnjëmendtë për njëri-tjetrin, kuptohen lehtësisht, madje edhe për dikë si puna e Madisonit, një figurë kjo e portretizuar si aq torollake saqë bëhet subjekt i talljeve të Tallahassees, i cili thotë shpesh se ajo është imune ndaj sulmeve të trungrënësve, meqë nuk e posedon një të tillë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm