Shkrimtari Zija Çela ka marrë çmimin kryesor në edicionin e 25-të të Panairit të Librit, të dielën në Tiranë. Me romanin “Banka e ankesave” ai është shpallur autor i vitit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në ditën e fundit të Panairit. “Për rrezatimin e një urtie dhe përvoje të pasur letrare në identifikimin e bjerrjes së shpirtit njerëzor, si dhe tjetërsimit të fytyrës së vdekjes e të dashurisë në labirintet e një bote që shkon e përfton trajta distopike”, është motivacioni me të cilin Çela është shpallur laureat.
Juria, e cila përbëhej nga Virgjil Muçi, Aleksandër Çipa, Vjola Isufaj, Alina Karaulli dhe Agim Baçi, ka ndarë edhe çmimet e tjera tradicionale.
Çmimi i letërsisë për fëmijë iu akordua Natasha Shyteriqit me librin “Kalendari i ëndrrave të mollës” që, sipas jurisë, “përmes një proze poetike autorja ka ditur të ndërtojë një botë magjike për të miturit. Falë një stili të thjeshtë e elegant, por edhe një gjuhe të pasur e të rrjedhshme, që u shkon për shtat fëmijëve, ajo ia ka dalë mbanë të krijojë një vepër letrare që i jep krah fantazisë dhe edukon me dashurinë për natyrën e pa dyshim dijen, të lidhura tok me librin dhe leximin”.
Çmimi për përkthimin nga letërsia franceze shkoi për Klarita Lagjin, si përkthyese e veprës “Vendi i babait” nga nobelistja Annie Arnaux.
Juria vlerësoi për veprën më të mirë studimore Arben Imamin për “Tri format e mendimit: Mitologjia, Racionaliteti, Religjoni”.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Leximit, Alda Bardhyli, dorëzoi çmimin “Përkthimi më i mirë për 2022” për Romeo Çollakun, për përkthimin e romanit “Varfanjaku i Zotit” nga Niko Kazantzakis, një botim nga Kosova.
Edhe
Çmimet e Panairit, dëshmi e hapësirës së përbashkët të letrave shqipe
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa ia ka dorëzuar Zija Çelës çmimin, ka thënë se Bashkia e Tiranës do të vijojë të jetë mbështetëse e Panairit të Librit.
“Si drejtues i Bashkisë mendoj se në këtë vit të rinisë ndoshta ky ka qenë sponsorizimi më i mirë që kemi bërë. Do të doja që ta vazhdonim çdo vit duke e rritur. Ndoshta duke rritur edhe kohëzgjatjen, duke u dhënë mundësinë sa më shumë zhanreve që të prezantohen dhe sa më shumë shkrimtarëve dhe ndoshta marrin edhe më shumë hapësirë se Pallati i Kongreseve. Ndihem mirë që Bashkia ishte sponsor kryesor i këtij aktiviteti. Mezi pres që vitin tjetër ta çojmë akoma më tej”, ka thënë Veliaj.
Sipas tij, Tirana do të jetë sinonim me Panairin e Librit. “Më vjen mirë që steka ka ardhur duke u rritur. Dua shumë që qyteti të jetë sinonim me Panairin e Librit. Si kryetar i Bashkisë në vitin e Rinisë, jam vërtet i lumtur që Petriti dhe gjithë kolegët promovuan të rinj. Kishim shumë nevojë të merrnim këtë mesazh që këtu rinia ende prodhon, ende ka dëshirë”, ka thënë ai. Sipas tij, në një botë ku kufijtë e debatet diplomatike janë akoma tema të nxehta, libri i kalon këto barriera. “U inkurajova që ka shumë letërsi të mirë për fëmijët. Si një frankofon i vonuar me vjen shumë mirë për përkthime serioze dhe voluminoze. Zonjës Duda gjithmonë i qëllon që nuhat fituesit dhe nobelistët e radhës dhe u paraprin shumë prej këtyre personazheve. Shumë urime Benit! Vërtet e vlerësova mesazhin e përkthyesit tonë Romeos. Në një botë ku kufijtë, debatet diplomatike, ku njohjet, mosnjohjet janë akoma tema të nxehta, libri i kalon këto barriera dhe ju falënderoj shumë për këtë kontribut”, ka thënë kreu i Bashkisë së Tiranës.