Kulturë

Zhvendosja dhe rivendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës – 18 mijë euro

Zhvendosja dhe rivendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës – 18 mijë euro

“Çvendosja (sic) e shtatores së Ibrahim Rugovës dhe bartja deri në një vend të caktuar për konservim të përkohshëm dhe atë deri në kohën kur përgatitet bazamenti i ri për rivendosjen e saj. Çvendosja, ruajtja e shtatores duhet të bëhet me kujdes të shtuar që të mos vijë deri te dëmtimi i saj. Për të gjitha duhet të merren udhëzime nga organet kompetente dhe atë me udhëzime nga vetë investitori”, shkruhet për pozicionin, çmimi i të cilit është 8 mijë euro. Për rivendosje janë 10 mijë euro

Pas nisjes së realizmit të projektit për sheshin “Xhorxh Bush” pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore dhe politizimit të skajshëm të kësaj çështjeje, çmimi për zhvendosjen dhe rivendosjen e shtatores se dr. Ibrahim Rugovës është histori më vete. Të paktën publikisht, për herë të parë në vend do të paguhet 8 mijë euro për zhvendosje dhe 10 mijë për rikthimin e saj në vendin ku qëndron prej janarit të vitit 2021. Autori i veprës thotë se çmimi është i fryrë e autoritetet e Komunës së Prishtinës e shpjegojnë ndryshe prej asaj se çfarë shkruhet në kontratë

Komuna e Prishtinës do të paguajë 18 mijë euro për zhvendosjen dhe kthimin e shtatores së presidentit dr. Ibrahim Rugova para katedrales “Nënë Tereza”. Krejt kjo në kuadër të projektit për atë që njihet si sheshi “Xhorxh Bush”. Çmimi që do të paguajë institucioni lokal shihet si shumë i fryrë edhe për vetë autorin e shtatores. Për autoritetet komunale, ky çmim është krejt normal.

Historia e tentimit të implementimit të projektit për sheshin “Xhorxh Bush”, do të hapë edhe një etapë të re. Pas nisjes së realizmit të projektit pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore dhe politizimit të skajshëm të kësaj çështjeje, çmimi për zhvendosjen dhe rivendosjen e shtatores se dr. Ibrahim Rugovës është histori më vete. Të paktën publikisht, për herë të parë në vend do të paguhet 8 mijë euro për zhvendosje dhe 10 mijë për rikthimin e saj në vendin ku qëndron prej janarit të vitit 2021.

“Çvendosja (sic) e shtatores së Ibrahim Rugovës dhe bartja deri në një vend të caktuar për konservim të përkohshëm dhe atë deri në kohën kur përgatitet bazamenti i ri për rivendosjen e saj. Çvendosja, ruajtja e shtatores duhet të bëhet me kujdes të shtuar që të mos vijë deri te dëmtimi i saj. Për të gjitha duhet të merren udhëzime nga organet kompetente dhe atë me udhëzime nga vetë investitori”, shkruhet për pozicionin, çmimi i të cilit është 8 mijë euro. Në kontratën me titull “100 Ndërtimi i sheshit Xhorxh Bush” të nënshkruar nga përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës me konzorciumin e kompanive “Salillari”, “Gjini Construction” dhe “Hidroterm” në shkurt të vitit të kaluar, menjëherë pas pozicionit për zhvendosje vjen ai për rivendosje. 

“Rivendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës nga vendi i konservuar pas zhvendosjes. Punimet në vendosjen dhe stabilizimin e plotë të shtatores duhet të bëhen me kujdes shumë të veçantë dhe që të mos vijë deri te dëmtimi i saj. Për të gjitha duhet të merren udhëzime nga organet kompetente dhe atë me udhëzime nga vetë investitori”, shkruhet në pozicionin që do të paguhet 10 mijë euro. Në kontratën që ka peshë financiare prej 18 milionë e 162 mijë euro, pozicion i veçantë që kushton 750 euro është demolomi i bazamentit aktual të shtatores. 

Por sipas Komunës së Prishtinës nuk bëhet fjalë për zhvendosje dhe rikthim të shtatores që për autor ka skulptorin Fatmir Hoxha. 

“Nuk është vetëm montim apo demontim por komplet ndërtimi i platformës dhe ku do të qëndrojë shtatorja. Që ta thjeshtësojmë më shumë: 63000 metra katrorë intervenim për komplet sipërfaqen është 288 euro për metër katror”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Transformimit në Prishtinë, Gëzim Kastrati. Sipas tij, Prishtina e meriton zgjerimin pasi kjo ka kaluar në Kuvendin Komunal më 2012. 

Vendosja e shtatores në atë hapësirë ka një histori më vete pasi Ipeshkvija kishte planifikuar që aty të zërë vend edhe një tjetër vepër e skulptorit e profesorit universitar, Fatmir Hoxha. Planifikohej që krahas të ishte edhe shtatorja e Anton Çettës. Pas reagimit të familjes Çetta, Ipeshkvia qe tërhequr dhe tash e katër vjet aty zë vend veç shtatorja e presidentit të parë të Kosovës. 

Autori i shtatores, Fatmir Hoxha ka thënë se nëse zhvendosja dhe rivendosja paguhen 18 mijë euro, atëherë në këtë rast bëhet vjedhje e madhe. 

Vendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës në këtë hapësirë ka një histori më vete pasi Ipeshkvija kishte planifikuar që aty të zërë vend edhe një tjetër vepër e skulptorit e profesorit universitar, Fatmir Hoxha. Planifikohej që krahas të ishte edhe shtatorja e Anton Çettës

“Kjo është vjedhje klasike. Nga përvoja e di se me 2 mijë euro mund të bëhet ajo punë. Por nëse rasti është shumë urgjent, mund të shkojë deri në 3 mijë euro”, ka thënë ai. Ka pasur edhe një koment shtesë. 

“Thuhet se njerëzit malin e shtetit nuk e kursejnë. Edhe në këtë rast nuk qenkan duke e kursyer. Kjo është një hajni e madhe”, ka thënë ai. 

KOHA u ka dërguar pyetje dy prej tri kompanive që kanë marrë përsipër të kryejnë punimet. Por ato nuk janë përgjigjur. Implementimi i kësaj kontrate s’e ka problem të vetëm çmimin për zhvendosjen e vendosjen e shtatores. 

Historia e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars të këtij viti, kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. 

Alamet sipërfaqesh janë duke u mbushur me armaturë dhe beton. Sipas projektit, sipër do të ketë gurë. Por, ana tjetër mbetet e paprekur. Institucionet s’kanë kurrfarë komunikimi. Komuna pret që Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të miratojë projektin, kurse autoriteti i trashëgimisë kulturore është në pritje të plotësimeve që kaherë ia ka rekomanduar institucionit lokal.

Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Inspektorati për këtë rast kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje. Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i ishte miratuar. 

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë, siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës.

IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si: ai i Katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave të  mbrojtura të monumenteve si: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime. 

Komuna lëndën e kishte dërguar në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e më pas edhe shqyrtim të ligjshmërisë së ndalimit të punimeve. Gjykata e ka refuzuar pezullimin dy herë radhazi. Edhe pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim. 

Në arsyetim Gjykata ka cituar pikën e 8-të të nenit të 3-të të Ligjit për trashëgimi kulturore, i cili përcakton se “dhënia e lejes (lejimi) për ndërtim ose veprimtari të tjera që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë, ose strukturën e objektit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, bëhet vetëm me miratimin me shkrim të institucionit kompetent”.