Kulturë

“Zgjoi” i Kosovës në festivalin australian që tubon fitues çmimesh prestigjioze

Filmi i Kosovës, që rrugëtimin e nisi në shkurtin e sivjetmë si fitues i trefishtë në “Sundance Film Festival”, është në garë zyrtare në edicionin e 68-të të “Syndney Film Festival”. Konkurrentë do të ketë fitues të çmimeve prestigjioze prej atyre të “Berlinales” e Festivalit të Filmit në Venecia, përderisa festivali nxori fitues edhe filma që triumfuan në “Oscars”, si “Parasite”. E po ky festival, “Zgjoin” e Kosovës e veçon si rrëfim klasik mbi tejkalimin e fatkeqësive

Para se ta publikojë programin e plotë të këtij viti, “Syndney Film Festival”, njëherësh një nga festivalet me traditë më të gjatë në botë, ka publikuar listën e 22 filmave që do të shfaqen në edicionin e sivjetmë. Mes tyre është edhe “Zgjoi”, i cilësuar si rrëfim mbresëlënës nga Kosova mbi vullnetin për të mbijetuar. Filmi i metrazhit të gjatë, nën regji të Blerta Bashollit është pjesë e edicionit të 68-të të Festivalit, që do të mbahet prej 18 deri më 29 gusht. Pas pauzimit vitin e kaluar, për shkak të koronavirusit, ky edicion do të sjellë një mori premierash, kalim në tepih të kuq e diskutime me filmbërës. Është ngjarje që ndër vite ka sjellë elitën e kinematografisë botërore, fitues prej “Berlinales” e Venecias deri në “Oscars”.

”Zgjoi”, që shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe, nga festivali është cilësuar si një “dramë e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, e të cilat luftojnë kundër patriarkatit”. Po aty përmendet edhe suksesi historik i “Zgjoit”, kur në shkurtin e sivjetmë, në “Sundance Film Festival” mori tri çmime – Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e publikut dhe atë për regji.

Drejtori i “Syndney Film Festival”, Nashen Moodley, citohet të ketë thënë se me publikimin e këtyre titujve ata ftojnë publikun që të kthehen në kinema “për të eksploruar kohët tona nëpërmjet filmit”. Sipas një komunikate për media të festivalit, ai ka theksuar se kriza me pandeminë ka prekur shumë rëndë njerëzit dhe shumë fusha të jetës.

“Në mund të ndihemi të izoluar, të lënë jashtë, dhe mund të na mungojë kontakti me njerëzit, pasi që të gjithë përballemi me kufizime dhe nuk kemi pasur mundësi që të udhëtojmë përtej kufijve të vendeve tona për më shumë se një vit. Gjatë muajit gusht ne e ftojmë publikun që të na bashkohet për të zbuluar ngjarje më rëndësi, njerëz, vende dhe fenomene që kanë motivuar filmbërësit me më nam në botë”, ka thënë Moodley. Lista e plotë e filmave do të publikohet më 21 korrik.

E “Zgjoi” i Bashollit del se ka mbërthyer më së miri misionin e këtij edicioni. Sipas përshkrimit që i është bërë filmit, Basholli ka mjeshtëruar një rrëfim ngashënjyes e krejtësisht klasik sa i përket tejkalimit të fatkeqësive.

“Pas shtatë vjetëve, qëkur burri i është zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Fahrija është duke luftuar që t’u sigurojë një jetë më të mirë dy fëmijëve të saj. Një kooperativë për gratë dhe për të shitur ajvar është pritur me përbuzje nga burrat në fshatin e saj. Në këtë vend patriarkal, morali i një gruaje mund të vihet në dyshim edhe për shfaqjen më të vogël të pavarësisë”, është shkruar aty, duke shtuar se Fahrija nuk është një grua e zakonshme.

“Qasja regjisoriale e Bashollit, skenari i fuqishëm dhe aktrimi i shkëlqyer i Yllka Gashit e që është në qendër të filmit, i sjellin lidhjen me luftën dhe fuqinë e grave në një fokus të mprehtë dhe shpërblyes”, vazhdon tutje përshkrimi.

Përveç “Zgjoit”, në mesin e filmave të përzgjedhur janë edhe “Dear Comrades!”, që shpalos ngjarjet e vërteta rreth masakrës në Novocherkassk të vitit 1962, nga regjisori rus Andrei Konchalovsky, që vitin e kaluar e mori Çmimin Special të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia, fituesi i vitit të kaluar i “Ariut të Artë” në Berlinale, “There Is No Evil” nën regji të Mohammad Rasoulof, e fituesi i vitit të kaluar të “Ariut të Argjendtë”, “Wheel Of Fortune And Fantasy” nën regji të Ryusuke Hamaguchi.

Te “Zgjoi”, film 1 orë e 24-minuta, përveç Yllka Gashit, luajnë edhe Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri.

Producenti Yll Uka ka thënë për KOHËN se me rendësi më të madhe deri tani ka qenë distribuimi i filmit dhe marrëveshjet me distributorë të ndryshëm për shfaqje të filmit në shtete të ndryshme, dhe festivalet i kanë pasur në plan të dytë.

“Pasi që zakonisht distributorët e vendeve vendosin se në cilat festivale mund të dërgohet filmi. Në këtë rast distributorët që i kemi në Amerikë merren me shpërndarjen e filmit nëpër festivale. Kështu që deri tani kemi bërë shumë në këtë drejtim, pra në distribuim dhe deri më tani filmi e ka të siguruar se do të shfaqet në kinematë e 52 vendeve të botës, por ky numër është duke u rritur gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

E pikërisht edhe pjesëmarrja në këtë festival, Uka ka thënë se ka ardhur pas kontakteve që kanë pasur me kompaninë distribuese.

“LevelK”, kompania nga Danimarka, e cila ka të drejtën e shitjes globale të filmit, ia ka shitur të drejtat për distribuim në Zelandë të Re e Australi kompanisë “Icon”. E themeluar në vitin 1989, “Icon” është kompania kryesore për kinematë e pavarura dhe për distribuim të filmave në Australi.

“Kemi edhe shumë festivale të tjera që veç sa na janë konfirmuar, por edhe marrëveshje të tjera e që shumë shpejt do të bëhen të ditura”, ka thënë Uka, gjersa ka theksuar se marrja e ndonjë çmimi do të ishte një hap tjetër me rëndësi për “Zgjoin”.

“Festivali është shumë i madh dhe shumë i mirë. Të kujtojmë se para dy vjetësh filmi ‘Parasite’, i cili triumfoi në Festivalin e Filmit në Syndney, më pas mori edhe gjashtë çmime në ‘Oscars’”, ka thënë ai. “Academy Awards” është një ceremoni prestigjioze, të cilën ekipi i “Zgjoit” çdoherë e ka potencuar se e ka cak.

“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga “Ikonë Studio” dhe “Industria Film”, me bashkëprodhim nga “Alva Film Production”, “Black Cat Production”, “AlbaSky”, “Swiss National TV”, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka “LevelK”.

QKK-ja e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë kur ia ndau 140 mijë euro.