Në Ministrinë e Kulturës janë ndarë çmimi kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi për vitin 2022. Juria në përbërje të Osman Gashit, kryesues, Bardh Rugovës, Rrahman Paçarizit, Gëzim Aliut dhe Azem Deliut, çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli” ka vendosur që ta marrë shkrimtari Zejnullah Rrahmani. Hapi që Rrahmani ka shënuar përpara në kuadrin e përgjithshëm të prozës aktuale shqipe dhe gjurmët e thella që ka lënë në domenin e teorisë së letërsisë dhe të letërsisë së përgjithshme, kanë qenë disa prej vlerësimeve të jurisë. Ai është autor i rreth 30 veprave letrare dhe në fushën e teorisë e të kritikës.
“Proza e Zejnullah Rrahmanit shënoi një hap cilësor përpara në kuadrin e përgjithshëm të prozës aktuale shqipe. Me shkëputje nga format tradicionale realiste, këndej e andej kufirit duke sjellë kështu frymën e prozës evropiane. Në prozën e tij, Rrahmani i thyen shpeshherë kufijtë e zhanrit letrar dhe shpalos një botë njerëzore të përgjithshme”, ka thënë, Osman Gashi, kryesues i Jurisë.
Në kuadër të ceremonisë janë ndarë edhe pesë çmime vjetore.
Veli Karahoda ka marrë çmimin “Anton Pashku”, çmimin “Ali Podrimja” e ka marrë Sabit Bajraktari, atë “Ibrahim Rugova”, Haqif Mulliqi dhe “Pjetër Bogdani” Meliza Krasniqi. Çmimin për veprën për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj”, juria propozoi të mos e ndajë me arsyetimin se nuk ka pasur prurje.
“Raporti i jurisë për dhënien e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore ‘Azem Shkreli’ dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi për vitin 2022. Juria profesionale pasi i lexoi dhe i vlerësoi veprat vendosën: Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore ‘Azem Shkreli’ t’i jepet Zejnullah Rrahmanit. Çmimi për veprën më të mirë në prozë ‘Anton Pashku’ t’i jepet Veli Karahodës për romanin ‘Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit’. Çmimi për veprën më të mirë për poezi “Ali Podrimja” t’i jepet Sabit Bajraktarit për librin ‘Noah’. Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë ‘Ibrahim Rugova’ t’i jepet Haqif Mulliqit për veprën ‘Henrik Ibseni fryma e parë e modernes’. Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe ‘Pjetër Bogdani’ t’i jepet Meliza Krasniqit për përkthimin e veprës ‘Arti i fiksionit’ të David Lodge”, ka thënë Gashi.
Në pamundësi që të jetë i pranishëm, çmimin në vend të Zejnullah Rrahmanit e mori vëllai i tij, shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani.
”Ai më porositi që ne emër të tij t’ju përshëndes dhe ta falënderoj jurinë, Ministrin dhe Ministrinë për vlerësimin që i është bërë”, ka thënë Rrahmani.
Vitin e kaluar Adem Gashi ishte laureat i çmimit për vepër jetësore “Azem Shkreli”. Mehmet Kraja mori çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” e atë “Ali Podrimja” për veprën në poezi e mori Xhevdet Bajraj. Çmimin për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” e mori Blerina Rogova – Gaxha. Ndërkaq çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” iu dha Col Mehmetit.