(DW) - Në një pijetore në qendër të Munich, në mesin e viteve 1970, Willy dhe disa miq po pinin birra dhe nga biseda e tyre gazmore kushdo mund të kuptonte se ata ishin të majtë dhe se ishin gati të luftonin kundër neonazistëve.
Papritur, dikush nga tavolina ngjitur do të ngrihej dhe do të fillonte të provokonte grupin. Ai këndoi një këngë të vjetër naziste dhe pjesa tjetër e pijetores filloi të gumëzhijë së bashku. Willy kërceu dhe bërtiti "Hesht, fashist!". Një seri ofendimesh kishin çuar në zënkë brenda barit dhe Willy do të vritej me një gotë të thyer.
Kjo është historia që tregon kantautori Konstantin Wecker në këngën e tij më 1977, “Willy”, e cila i kushtohet një prej miqve të tij. “Dje e vranë Willyn, dhe sot ai do të varroset”: Gjysmë shekulli më vonë, teksti i këngës mbetet aktual, pasi e djathta ekstreme nuk është zhdukur kurrë plotësisht në Gjermani që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe tani po zvarritet përsëri me besim drejt shoqërisë.
Një konfrontim i tillë mund të ndodhë në çdo bar, veçanërisht në zonat ku njerëzit ndihen të lënë pas nga pjesa tjetër e shoqërisë. Siç e paralajmëron Konstantin Wecker mikun e tij në këngë, këta janë “njerëzit e vërtetë” që janë rrahur aq shpesh, saqë janë gjithmonë gati të kundërpërgjigjen.
Ekzistojnë të paktën nëntë versione të ndryshme të këngës “Willy”. Në versionin e parë të vitit 1977, Wecker e interpreton këngën në dialektin bavarez, ndërsa versionet e mëvonshme janë në gjermanishten e lartë.
Edhe
Pas kritikave për perfomimin në festivalin në Londër, Kanye West premton “paqe e dashuri”
Me kalimin e viteve, ai iu rikthye këngës si reagim ndaj krimeve të ndryshme të urrejtjes, qoftë vrasja e Angolian Antonio Amadeu nga neonazistët në Eberswalde në 1990, apo sulmet e 11 shtatorit 2001.
Në vitin 2015, zemërimi i Weckerit u drejtua kundër lëvizjes islamofobe, ksenofobe, raciste dhe të ekstremit të djathtë PEGIDA, ndërsa në vitin 2018 ai këndoi kundër zgjedhjes së partisë populiste të krahut të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), lideri i së cilës, Alexander Gauland, e kishte shpërfillur epokën naziste si "glasë zogjsh në mbi 1000 vjet të historisë së suksesshme gjermane".
Në “Conversations with Willy” – siç e quan Wecker serinë e këngëve – ai vazhdimisht denoncon mungesën e vullnetit të autoriteteve për të hetuar sulmet raciste dhe faktin se si policia ndonjëherë nuk reagon as ndaj thirrjeve të urgjencës. Ai gjithashtu i kritikon politikanët, duke kërkuar që ata të shkojnë përtej shprehjeve të shqetësimit; “Fjalët e tyre duhet të pasohen nga veprat”, këndon ai.
Fashizmi nuk është një opinion, por një krim, thotë Wecker në një nga intervistat e tij - një krim që duhet luftuar kudo dhe në çdo kohë.
Solidariteti i një anarkisti në kohë pandemie
Në vitin 2020 shpërtheu pandemia COVID dhe ndryshoi jetën në mënyra radikale.
Wecker gjithashtu reagoi edhe ndaj kufizimeve të lirive personale në "Willy 2020", duke theksuar se për të masat mbrojtëse, si koncertet e anuluara, festat dhe takimet e grupeve, duhet të shihen si një gjest solidariteti, dhe respektimi i tyre të bëhet nga ndjenja e përgjegjësisë, dhe jo sepse kështu kanë vendosur politikanët. Si "anarkist i vjetër", përmes këngës, ai tha se ndihet përgjegjës për lirinë e vet.
Edhe
Peticion për të ndaluar paraqitjen e Kanye West në një festival në Sllovaki
Por edhe nëse ai ishte kritik ndaj vendimeve politike që preknin skenën kulturore, ai prapëseprapë u distancua qartë nga ata që mohuan ose minimizuan vetë pandeminë, duke kritikuar lëvizjen "Querdenker" për lejimin e organizimit të demonstratave nga grupet e ekstremit të djathtë.
Biseda e fundit e Konstantin Weckerit dhe Willit u regjistrua në vitin 2021. Ai reagoi ndaj masakrës neonaziste në Hanau, ku një ekstremist 43-vjeçar i ekstremit të djathtë qëlloi me gjakftohtësi nëntë persona me origjinë emigrante.
Një pacifist i vendosur
Tani Wecker, si një paqeruajtës, është i shqetësuar nga lufta në Ukrainë dhe reagimi i botës perëndimore ndaj këtij konfliktit.
Në fund të prillit, së bashku me intelektualë dhe figura të tjera të njohura kulturore gjermane, ai nënshkroi një letër të hapur ku i kërkonte kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të mos dërgonte armë të rënda në Ukrainë.
Letra u bë temë diskutimi dhe shumë kritikë të letrës, qëndrimin pacifist të nënshkruesve luksozë e quanin krejtësisht të papërshtatshëm, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të popullit ukrainas.
Në një intervistë me transmetuesin publik gjerman Norddeutscher Rundfunk (NDR), Wecker mbrojti qëndrimin e tij: “Problemi është se - me shumë pak përjashtime - një rezistencë me të vërtetë e padhunshme nuk është provuar kurrë”. Mbi të gjitha, ai shtoi se është një artist dhe jo një politikan, gjë e cila e lejon atë që “të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim, sepse është një qëndrim për shpëtimin e gjithë njerëzimit. Dikur, ne duhet të fillojmë të bëjmë paqe pa armë”.
Edhe
Në Gjermani bie gatishmëria për ta kujtuar të kaluarën naziste
Teksa Konstantin Wecker më 1 qershor mbush 75 vjet, do të nisë një turne nëpër Gjermani, Austri dhe Zvicër, duke filluar nga 3 korriku. Motoja e turneut: "Këndoj, sepse kam një këngë" - "Willy" do të jetë njëra ndër to.Marrë nga DW
Përktheu: Mirjetë Sadiku