Më shumë se njëzet festivale të filmave gjithandej botës janë bashkuar për të shfaqur filma pa pagesë në “YouTube” pasi që pandemia e koronavirusit bëri që të mbyllen kinematë dhe detyroi anulimin e shtyrjen e festivaleve të përvitshme, si ai në Cannes apo në New York.
Festivali botëror i filmit “We Are One”, i cili do të zgjatë dhjetë ditë, duke filluar prej 29 majit, do të shfaqë programe të kuruara nga festivale më të mëdha në mesin e të cilëve ai i Berlinit, Cannes, Sundance, Toronto, Tribeca dhe Venecia. Kështu kanë bërë të dikur nëpërmjet një deklarate organizatorët “Tribeca Enterprise” dhe "YouTube”.
Gjatë Festivalit do të shfaqen filma, dokumentarë, muzikë, komedi dhe bashkëbisedime. Asnjë detaj në lidhje me programin nuk është bërë i ditur, por ka shumë të ngjarë do të përfshihen filma të rëndësishëm që normalisht do të ishin lansuar në festivalet e filmave, shkruan sot Koha Ditore.
Anulimi i Festivalit të Filmit në Cannes të Francës dhe pasiguria rreth mbajtjes së festivaleve në Venecie e Toronto në shtator, ua ka pamundësuar filmbërësve dhe studiove filmike promovimin e filmave të mëdhenj në media dhe në publik.
Organizatorët e Festivalit të Filmit në Cannes kanë thënë, të hënën, se ata ishin krenarë që i janë bashkuar ngjarjes së organizuar nga “YouTube” për “të vënë në pah filma e talente të jashtëzakonshme, duke ia mundësuar po ashtu audiencës që të përjetojë bashkë edhe nuancën e historive që vijnë nga e gjithë bota, por edhe aspektin artistik të secilit festival”.